BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 09 mars 2006 - 07:49 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Kabinet i ri qeveritar në Kosovë
 
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi pritet të votojë të premten për qeverinë e re
Kabineti i ri qeveritar në Kosovë, në krye të të cilit do të jetë Agim Çeku do të jetë i ngjashëm me kabinetin e ish-kryeministrit Bajram Kosumi.

Përveç zëvendëskryeministrit të Kosovës, Adem Salihaj, të gjithë qeveritarëve të tjerë u është besuar vazhdimi i mandatit.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që të mbajë ministrat e saj edhe në qeverinë Çeku, por të zëvendësojë numrin dy të qeverisë, Adem Salihajn me ministrin e Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri.

Ndërkohë Lidhja Demokratike ka emëruar Fatmir Rexhepin për ministër të Punëve të Brendshme, njërës prej dy ministrive të reja.

Vendim unanim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu tha se kryesia e partisë ka marrë vendim unanim për emrat e drejtuesve të ministrive në kabinetin e ri qeveritar.

Ai tha se LDK-ja dëshironte që në këtë mandat postin e zëvendësministrit ta ushtronte Lutfi Haziri, në vend të Adem Salihajt, por nuk tha shkaqet e largimit të Salihajt nga qeveria.

“Thelbi kryesor është se me vetë mosdhënien e besimit figurave kyçe ne po hyjmë në fazën e përshpejtimit të asaj dinamike që kërkohet prej një shoqërie demokratike.

Ky është thelbi i gjithë kësaj, absolutisht nuk ka asgjë personale”, u shpreh nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu.

Adem Salihaj ka ushtruar detyrën e zëvendëskryeministrit të Kosovës për gati një vit.

Më herët ai ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal të Ferizajt. Gjatë mandatit të tij si zëvendëskryeministër ai është përballur me kritika dhe akuza të rënda nga opozita.

Akuza

Ndërkohë Bujar Bukoshi, kryetar i Partisë së Re të Kosovës, një parti kjo joparlamentare, kishte akuzuar Salihajn për blerjen e postit të zëvendëskryeministrit.

Me këtë çështje tani po merren organet e drejtësisë.

Kritika dhe akuza në drejtim të Salihajt ka pasur edhe nga udhëheqja komunale e Ferizajt.

Por vetë Adem Salihaj e quan largimin e tij nga qeveria si “sakrificë”.

Ai vlerëson se gjatë mandatit të tij, e ka kryer punën me sukses.

“Kryesia e LDK-së me konsensus të cilin nuk e kam kundërshtuar as unë ka kërkuar që ta bëjë një sakrificë, që të jem kurban dhe të mos jem në listën e re të qeverisë për zëvendëskryeministër, gjë që se kam kundërshtuar.

Unë jam prapë në kryesinë e Lidhjes Demokratike dhe do të punoj aty.

Dëshiroj të them se kam pasur një nder shumë të madh që isha për këtë kohë zëvendëskryeministër, kam qenë i propozuar dhe i përkrahur nga presidenti Rugova dhe e theksoj edhe një herë se kam qenë shumë i nderuar me këtë.

Jam munduar ta jap një kontribut dhe mendoj se asnjë proces serioz në Kosovë nuk ka ngecur nga mosangazhimi apo mospuna ime ose e qeverisë”, deklaroi zoti Salihaj.

Zoti Salihaj tha se nuk e dinte as vetë pse ishtë larguar nga qeveria dhe shtoi se nuk i janë dhënë sqarime për arsyet e largimit nga posti.

“Nuk është dhënë asnjë arsyetim, më është thënë se është mirë ta bëjmë ndonjë ndryshim dhe bëje këtë sakrificë.

Vetëm kjo është thënë, asgjë tjetër”, u shpreh zëvendëskryeministri i deritanishëm në qeverinë e Kosovës, Adem Salihaj.

Ministër i ri

Edhe partneri i Lidhjes Demokratike në koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të mbajë të gjithë ministrat e saj që kanë qenë pjesë e qeverisë Kosumi.

Ndërsa për Ministër të Drejtësisë, AAK-ja ka propzuar Jonuz Salihajn.

Lista me emrat e kandidatëve që do ta përbëjnë kabinetin e ri qeveritar i është dorëzuar mandatarit për krijimin e qeverisë, Agim Çeku. Ai tha se parimisht është pajtuar me përbërjen e re të qeverisë.

“Koalicioni qeveritar ma ka parashtruar propozimin e tyre për përbërjen e kabinetit të ri.

Parimisht jam pajtuar që të shkojmë me përbërjen e qeverisë që është dakorduar mes partnerëve të koalicionit, kështu do të fillojmë.

E nënshkruam një deklaratë që do ta vlerësojmë kohë pas kohe punën e çdo ministri dhe e mora të drejtën, edhe partia por edhe unë si kryeministër, që të shkojmë me ndërrimin e ministrave atëherë kur vlerësojmë se një ministër nuk i përmbush obligimet e veta”, deklaroi Agim Çeku.

Mandatari për krijimin e qeverisë, komandanti i deritanishëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral Agim Çeku më herët ishte shprehur në favor të ndryshimit të disa emrave të ministrave, por ishte koalicioni qeveritar ai që vendosi për përbërjen e qeverisë.

“Tjetër është dëshira, e mundësia është diçka tjetër”, tha shkurt ai, pasi mori listën me emrat e ministrave të propozuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kabineti Çeku pritet të votohet të premten në seancën e Parlamentit.

Në seancë do të votohet edhe zëvendësimi i kreut të Kuvendit, Nexhat Daci me deputetin Kolë Berisha.

Emërimi i ushtarakut, Agim Çeku në postin e kryeministrit të Kosovës është mbështetur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe zyrat diplomatike në Prishtinë.

Zyrtarë ndërkombëtarë kanë thënë se është çështje e brendshme e Kosovës caktimi i emrave për drejtues të institucioneve.

I vetmi që ka kundërshtuar haptas Agim Çekun për kryeministër ka qenë Beogradi zyrtar, i cili ka kërkuar nga UNMIK-u ta pengojë zgjedhjen e tij, por kjo është refuzuar nga administrata ndërkombëtare në Kosovë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>