BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 01 mars 2006 - 16:40 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Tronditje në skenën politike kosovare
 
Bajram Kosumi
Kosumi ishte kryeministër për një vit
Skena politike e Kosovës është tronditur të mërkurën pas dorëheqjes së kryeministrit dhe kërkesës drejtuar kryetarit të parlamentit.

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi njoftoi dorëheqjen pas shumë spekulimeve përmes një deklarate para gazetarëve në Prishtinë.

"Duke patur parasysh mundësinë që qeveria e Kosovës të ngelë pa shumicën e votave në kuvendin e Kosovës dhe duke patur parasysh krijimin e mundësive të reja për forcat politike në Kosovës, për të vazhduar me proceset dhe për të krijuar shasse të reja e çmoj si akt të duhur dhe veprim moral që, në përputhje me Kornizën Kushtetuese të Kosovës, të jap dorëheqjen time nga posti i kryeministrit të Kosovës."

Bajram Kosumi ishte kryeministër i qeverisë së koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kosovë për një vit.

Ai e mori postin në mars të vitit të shkuar, pas dorëheqjes e më tej vetëdorëzimit në Hagë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Si z. Haradinaj, dhe Z. Kosumi ishte nga rradhët AAK-së.

Burime nga kjo parti thonë se po përpiqen të vendosin për pasardhësin e z. Kosumi.

Mediat në Prishtinë kanë përmendur të mërkurën si pasardhësin e tij të mundshëm Agim Çekun, komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Tronditje

Me largimin e Z. Kosumi, pritet që në kabinetin qeveritar të bëhen ndryshime të mëdha.

Analistët thonë se tronditjet në skenën politike kosovarë janë pasojë e përplasjeve politike në gjirin e partisë më të madhe në kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas vdekjes së ish-udhëheqësit të saj Ibrahim Rugova.

Më herët gjatë ditës, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi të largojë nga posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci.

Lajmi u konfirmuar nga Eqrem Kryeziu, nënkryetari i LDK-së.

Në vend të tij, në krye të Kuvendit të Kosovës, kryesia e LDK-së ka caktuar z. Kol Berisha.

"Kryesia e LDK-së ka marrë një vendim të vështirë, por të domosdoshëm. Pikërisht ky vendin konsiston në faktin që z.Kol Berisha të zëvendësojë profesor Nexhat Dacin si kryetar i parlamentit të Kosovës," tha z. Kryeziu.

"Ne urojmë që nesër z. Nexhat Daci të japë dorëheqje për hir të proceseve", shtoi ai.

Z. Daci ishte kryetari i parë i parlamentit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e vitit 2001 që u fituan nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai shërbeu për dy mandate, edhe pas fitores së LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2004.

Kryesia e LDK-së ka biseduar edhe largimin nga postet të disa ministrave që vijnë nga kjo parti, por nuk është bërë e ditur se për cilat emra bëhet fjalë.

Pritet që shumë shpejt kuvendi t'i miratojë këto vendime të kryesisë së LDK-së.

Vizita e Ahtisarit

Zhvillimet e fundit në skenln politike të Kosovës përkuan me vizitën e paralajmëruar në Prishtinë të kryenegociatorit për statusin Marti Ahtisari.

Z. Ahtisari u takua me presidentin Fatmir Sejdiu dhe me anëtarët e Grupit Negociator, ai ka marrë një document me përgjigje të një letre që kishte dërguar më herët rreth veprimeve të institucioneve kosovare për integrimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Pas takimeve, z. Ahtisari tha se zhvillimet në skenën politike kosovare, nuk do të ndikojnë në procesin e negociatave për statusin.

"Pres që procesi i negociatave të intensifikohet. Nuk mendoj se kjo situatë do të ndikojë negativisht në proceset që i zhvillojmë nga Viena", tha z. Ahtisari.

Kurse presidenti Sejdiu tha se ai do të angazhohej në krijimin e qeverisë së re, sepse 'nuk ka kohë për të humbur'.

"Do të përpiqem që të të bashkëpunoj me gjithë faktorët që të bëjmë
një konsolidom shumë të shpejtë", tha ai.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>