http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 27 shkurt 2006 - 07:36 CET

Masa për gripin e shpendëve në Kosovë

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka deklaruar se është çështje ditësh kur gripi i shpendëve të prekë edhe Kosovën.

Petersen ka kërkuar një angazhim më të madh në përgatitjen për përhapjen e kësaj sëmundjeje.

"Gripi i shpendëve tashmë ka goditur shumë vende fqinje. Ndoshta është çështje vetëm e ditëve para se ai ta godas Kosovën.

Po flasim për gripin e shpendëve dhe jo për një pandemi.

Po flasim për një përgatitje emergjente për t'iu përgjigjur kësaj sëmundjeje dhe në rast të përhapjes së saj të mund ta kontrollojmë", tha Jessen-Petersen.

Qeveria e Kosovës ndërkaq ka ngritur shtabin e emergjencës dhe ka shtuar masat e sigurisë duke ndaluar edhe importin e mishit të shpendëve nga vendet që janë prekur nga sëmundja H5N1.

Tash për tash nuk ka shenja të përhapjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë, por autoritetet kanë bërë thirrje për syçeltësi.