http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 25 shkurt 2006 - 08:28 CET

Franca gjen gripin në shpendët e butë

Ministria franceze e Bujqësisë ka konfirmuar praninë e shtamit potencialisht vdekjeprurës H5N1 të gripit të shpendëve në një fermë gjelash deti në Francën juglindore.

Analizat u bënë pas ngordhjes së një numri gjelash në një fermë në Versailleux.

Ferma është pranë një vendi ku një javë më parë u gjet rasti i parë me këtë virus në Francë në mesin e rosave të egra.

Shpendët u infektuan megjithëse mbaheshin brenda - një masë paraprake që fermeri e mori pasi një javë më parë u konfirmua rasti i parë i virusit në Francë në mesin e rosave të egra në një liqen rreth 200 metra më tej

Ministria tha se po bëheshin hetime për të përcaktuar se si ishte përhapur virusi tek ferma ku shpendët mbahen brenda, ndërsa qeveria kishte marrë masa rigoroze për ta parandaluar këtë.

Autoritetet thonë se ato po hetojnë gjithashtu pesë raste të reja të mundshme të gripit të shpendëve tek mjelmat e egra në rajonin ku ndodhet ferma.

Ky është rasti i parë në Bashkimin Evropian i virusit H5N1 në mesin e shpendëve të butë për tregëti: të gjitha rastet e mëparshme të konfirmuara në BE ishin gjetur në mesin e shpendëve të egër.