http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 15 shkurt 2006 - 16:54 CET

Nazim Rashidi
BBC, Tiranë

Shqipëria merr masa për gripin e shpendëve

Presidenti i Shqipërisë Alfred Mosiu ka thirur për të mërkurën një takim të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, për të diskutuar rreth masave që duhen marrë në rast të prekjes të Shqipërisë nga gripi i shpendëve.

Sëmundja konsiderohet si një rrezik i madh nga autoritetet shqiptare.

Zyrtarisht në vend nuk ka asnjë rast të shpendëve të infektuar, por asnjë tashmë nuk e përjashton Shqipërinë nga prekja e kësaj sëmundjeje, pasi ajo është konfirmuar në vendet fqinje.

Kryeministri Sali Berisha tha të hënën se pikërisht për këtë arsye, duhet treguar një kujdes i vazhdueshëm.

Masa

Por rreziku nga virusi H5N1, konsiderohet aq serioz, sa presidenti ka thirrur një takim të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar do të diskutojnë rreth masave që po merren dhe atyre që do të ndërmerren në rast të shpërthimit të ndonjë epidemie të mundshme.

Në Shqipëri prej disa ditësh njoftohet për shpendë të ngordhur në disa rrethe, por zyrtarët veterinarë kanë përjashtuar mundësinë e infektimit të tyre me Grip të Shpendëve.

Ndërkohë disa ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Task Force kundër sëmundjes, ka shpërndarë paisje të posaçme dhe udhëzime për hetimin e rastet e dyshimta në disa zona që konsiderohen potencialisht më të rrezikuara.