BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 11 shkurt 2006 - 15:02 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Irani 'mund të tërhiqet nga Marrëveshja'
 
Presidenti iranian
Presidenti foli para rreth 100 mijë iranianëve
Presidenti Mahmoud Ahmadinejad u ka thënë mbështetësve të tij se vendi mund të rishqyrtojë mundësinë e tërheqjes nga Traktati Për Mospërhapjen Bërthamore nëse ndaj tij do të ushtrohet në mënyrë të padrejtë presion për programin bërthamor.

Ai e bëri këtë deklaratë para rreth 100 mijë vetëve të mbledhur në Teheran për të shënuar përvjetorin e 27-të të Revolucionit Iranian.

Turma mbante pankarta ku shkruhej "Holokausti është një gënjeshtër e madhe" dhe hodhi parulla si "Izraeli duhet zhdukur" dhe "energjia bërthamore është e drejta jonë legjitime".

Shumë prej tyre ishin besnikë të regjimit dhe nxënës shkollash, por disa thanë se merrnin pjesë për herë të parë për të demonstruar mbështetjen e tyre për programin bërthamor të vendit.

Komente

Duke folur në tubimin masiv në Sheshin e Pavarësisë presidenti iranian tha se deri tani Irani ishte përpjekur të prodhonte energji bërthamore sipas rregullave të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore.

Por ai paralajmëroi se nëse duke u bazuar në këto rregulla, perëndimi donte ta privonte Iranin nga një e drejtë e tij themelore, atëherë Teherani do ta rishqyrtonte qëndrimin e tij.

Ky ishte sugjerimi më i qartë i bërë deri tani se Irani mund të tërhiqet fare nga Traktati për Mospërhapje nëse mbi të do të ushtriohet më shumë presion.

Z. Ahmadinejad po ashtu përësriti komentet e mëhershme se 'Holokausti nazist i hebrenjëve në Luftën e Dytë Botërore ishte mit'.

Ai tha se holokausti i vërtetë po ndodhte në Palestinë ku sionistët po vrisnin përditë njerëz të pafajshëm.

President Ahmadinejad pyeti se pse perëndimi e konsideronte si krim ngritjen e dyshimeve për Holokaustin, por i lejonte njerëzit ta fyenin Profetin Muhamed përmes karikaturave në emër të lirisë së fjalës.

Ai tha se ata që fyenin islamizmin ishin pengje të sionistëve dhe do të paguanin një çmim të madh për këtë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>