http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 21 janar 2006 - 16:56 CET

Presidenti Bush ngushëllon popullin e Kosovës

Udhëheqës nga vende të ndryshme të botës kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e Presidentit Rugova dhe kanë vlerësuar figurën e tij.

Në një letër drejtuar familjes së presidentit Rugova dhe popullit të Kosovës, presidenti amerikan Xhorxh W Bush thotë se Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë.

"Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare," thuhet në letrën e presidentit Bush.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan tha se vdekja e z. Rugova ishte e pritshme, por ajo ndodhi në një moment kyç të përgatitjeve përfundimtare për bisedimet për statusin e Kosovës.

Në një deklaratë, Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice vlerësoi rolin udhëheqës të z. Rugova.

Ajo tha se Uashingtoni kishte humbur "një mik të madh" kurse Kosova "një udhëheqës të madh".

"Presidenti Rugova e udhëhoqi popullin e tij në kohë sprovash dhe fitoi respektin e botës për mbrojtje e demokracisë dhe paqes," thuhet në deklaratë.

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me gjithë popullin e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në parimet e demokracisë, drejtave të njeriut dhe toëerancës ndëretnike që Rugova i vlerësonte thellësisht".

Në një letër dërguar kryetarit të Parlamentit nga zyra e presidentit të Francës, Zhak Shirak, thuhet se Franca e cila e ka mbështetur Kosovën gjatë tragjedisë së viteve 90-të ju bashkohet kosovarëve në këtë pikëllim.

Letra e zotit Shirak vlerëson lartë rolin historik dhe guximin politik që motivonte zotin Rugova në mbrojtjen e të drejtave demokratike të popullit të Kosovës si dhe në punën e tij në rivendosjen e paqës dhe pajtimit në rajon.

Ndërsa qeveria britanike përmes deklaratës së sekretarit britanik, Jack Straw, shpreh thimbjen e thellë dhe ngushëllimet popullit të Kosovës për vdekjen e presidentit Rugova.

Zoti Straw tha se presidenti Rugova ishte një ndër figurat më popullore të Kosovës që ka kontribuar në vetëdijsimin ndërkombëtar për shqetësimet e popullit të Kosovës. Këtë e ai e ka bërë gjithnjë më mjete paqësore.

Zoti Straw bëri thirrje që e gjithë Kosova të të vazhdojë punën për një shoqëri të qëndrueshme dhe shumëetnike, pa marrë parasysh prejardhjen etnike apo besimin fetar.

I dërguari i OKB-së për vlerësimin e standardeve në Kosovë, ambasadori norvegjez Kai Aide tha se dita e vdekjes së presidentit Rugova ishte edhe për të ditë pikëllimi.

"Mendoj se është shumë e dhimbshme që nuk do të jetë në gjendje që ta shohë këtë proces të përfunduar. Unë do ta mbaj në mend si person për të cilin gjithmonë kam patur respekt të madh që nga hera e parë që e kam takuar. Ai gjithmonë ka qenë njeri i qetë, me fjalë të buta dhe figurë atërore për të gjithë. Do ta kujtoj si person me të cilin kam patur shumë bisedime të thella dhe interesante. Do ta mbaj në mend si person të cilin e kam respektuar shumë. Do të dëshiroja të them se do ta mbaj në mend si mik. Dhe gjithmonë do të mbaj në mend bisedimet që kemi patur sidomos diskutimin e fundit pasi u njoftua se ishte i semurë. Edhe për mua kjo eshte dite e dhimbjes, tha Kai Aide.