http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 18 janar 2006 - 16:48 CET

Italia shqyrton gjendjen energjetike

Ministri italian i Energjisë ka kërkuar shqyrtimin e menjëhershëm të nivelit të furnizimeve me gaz natyral të vendit ndërsa vendi po kalon një periudhë të zgjatur me temperatura të ulta dhe kërkesë të lartë për energji.

Ministri Claudio Scajola ka thirrur të enjten krerët e kompanive kryesore të energjisë dhe gazit në Itali në një takim emergjent në Romë për të shqyrtuar furnizimet me energji të vendit.

Të martën konsumi i gazit në Itali arriti një nivel rekord - 440 milion metra kubë. Më shumë se një e treta e kësaj sasie u morr nga rezervat.

Italia është veçanërisht e ndërvarur nga ndërprerja e furnizimeve me gaz nga jashtë, pasi vendosi dy dekada më parë të mos ndërtojë uzina të energjisë bërthamore.

Italia importon rreth 85 për qind të energjisë për të cilën ka nevojë dhe është e varur nga Rusia dhe Algjeria për shumicën e furnizimeve me gaz natyral.

Rezervat e përgjithshme të gazit shkojnë rreth 2-3 javë konsum ditor në nivelin e tanishëm.

Kompanitë lokale u detyruan të përdorin rezervat në mënyrë të konsiderueshme gjatë ditës së martë për të përmbushur kërkesën e lartë.

Kreu i kompanisë më të madhe italiane të energjisë, ENI, Paolo Scaroni, thotë se Italia së bashku me pjesën tjetër të Evropës ndodhen në një pozicion të zbuluar dhe të dobët për shkak të ndërvarësisë nga vende që mund të ndërhyrjnë në tregun e lirë të energjisë dhe të përkulin rregullat në favor të tyre.

Gazpromi vendos kufizime

Lajmi për takimin e emergjencës në Itali erdhi pak para një njoftimi se kompania ruse e energjisë Gazprom mund të zvogëlojë furnizimet si për Italinë ashtu edhe për Austrinë.

Gazpromi ka zvogëluar tashmë furnizimet me gaz për Hungarinë dhe Bosnje Hercegovinën për shkak të të ftohtit të ashpër në tregun e vet.

Zyrtarët thonë se furnizimet me gaz për Hungarinë janë zvogëluar me 20 për qind, por nuk dhanë shifra për Bosnjen.

Temperaturat gjatë natës në Moskë kanë rënë nën -30 gradë Celcius dhe kanë qenë edhe më të ulta gjetkë në Rusi.