BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 25 janar 2006 - 15:55 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Delegacionet e para mbërrijnë në Prishtinë
 
Z. Rugova do të varroset të enjten
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të enjten
Delegacione shtetërore nga të gjitha anët e botës kanë filluar të mbërrijnë në Prishtinë për të marrë pjesë në varrimin e presidentit, Ibrahim Rugova.

Z. Rugova do të varroset të enjten në varrezat e dëshmorëve, disa qindra metra larg shtëpisë së tij.

Në mesin e burrave të shtetit që bënë homazhe të mërkurën para arkivolit të presidentit Rugova ka qenë edhe presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu e kryeministri Sali Berisha.

Në delegacionin e zgjeruar prej 30 anëtarësh nga Tirana marrin pjesë ministra dhe zyrtarë të opozitës me në krye Edi Ramën.

Të martën ndërkaq në Prishtinë ka arritur edhe ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano.

Vizita të ndërkombëtarëve

homazhe për Rugovën
Kosovarët po sfidojnë të ftohtin për të nderuar presidentin

Në Prishtinë kanë arritur dhe zyrtarë ndërkombëtarë që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit.

Mes tyre është edhe shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana.

Z. Solana do të ketë takime me drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

Pritet që zoti Solana të nxisë udhëheqjen e Kosovës për të ruajtur unitetin dhe për të vazhduar dinamikën e procesit të zgjidhjes së statusit.

Nga ana tjetër, ish-kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner që ka mbërritur në Prishtinë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të punojnë në drejtim të vizionit të kryetarit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

“Ai i ka kushtuar gjithë jetën ndërtimit të një Kosove demokratike, paqësore dhe prosperuese”, tha diplomati gjerman, Steiner, i cili bashkëpunoi ngushtë me presidentin Rugova gjatë një vit të qëndrimit të tij në krye të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Michael Steiner shfaqi bindjen se vdekja e presidentit Rugova nuk do ta pengojë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës

Takime

Delegacioni nga Tirana pas bërjes së homazheve, ka zhvilluar takime me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci dhe kryeministrin Bajram Kosumi.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Mojsiu e cilësoi humbjen e homologut të tij kosovar, Ibrahim Rugova si goditje të madhe jo vetëm për Kosovës, por gjithë popullin shqiptar.

“Ai ka qenë njeriu që diti ta ndërkombëtarizojë problemin e Kosovës, diti t’i dalë zot aspiratave të popullit të tij dhe sigurisht që unë mendoj se ëndrra e tij për ta parë Kosovën të pavarur do të jetësohet”, tha presidenti Mojsiu.

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha e quajti presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova misionar të madh të paqës, të lirisë dhe të pavarësisë.

Ai shfaqi bindjen se udhëheqja e Kosovës do të jenë në gjendje të realizojë idealet për cilat punoi presidenti Rugova, përkatësisht për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

“Udhëheqja politike e Kosovës ka të gjithë mençurinë, përkushtimin, vendosmërinë për t’i konkretizuar idealet e presidentit së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, në frymën e kultivuar nga presidenti Rugova, të një Kosove demokratike, të një Kosove faktor paqe e stabiliteti, të një vendi të lirë, të pavarur ku të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina etnike jetojnë të lirë si qytetarë të barabartë para ligjit”, u shpreh kryeministri Berisha.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>