BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 23 janar 2006 - 10:22 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Evropa kujton rezistencën paqësore të Rugovës
 
Një punonjës i varrezës përgatit varrin e familjes ku të vendoset trupi i zotit Rugova
Presidenti Rugova do të varroset të enjten në varrin e familjes
Në shtypin evropian shprehet shqetësim lidhur me vakumin e pushtetit në Kosovë pas vdekjes në fundjavë të presidentit Ibrahim Rugova.

Gazeta franceze LE MONDE i hedh një vështrim të ardhmes së Kosovës pas vdekjes së udhëheqësit të saj Ibrahim Rugova.

"Pacifisti shqiptar", i cili vdiq pak ditë para fillimit të negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës, "nuk pati kohë të hiqte shallin e kuq që ai kishte premtuar ta hiqte vetëm kur vendi do të bëhej i pavarur," shkruan gazeta.

"Kosova mbetet një qendër mungese qendrueshmërie," vë në dukje ajo. "Kushtetuta është e përkohshme, pakica serbe është e kufizuar në enklava dhe konsiderohet si armike, ose të paktën si alibi që e lejon Beogradin të pretendojë të drejtën e tij," shpjegon gazeta. Për sa i përket ekonomisë, "ajo është e subvencionuar nga bashkësia ndërkombëtare," shton ajo.

Po, shton gazeta, gjendja nuk është aq e keqe sa duket. "Gjatë betejës së udhëhequr nga zoti Rugova dhe Lidhja e tij Demokratike e Kosovës, populli i Kosovës ka arritur maturi të vërtetë politike," shkruan ajo.

Që nga fundi i luftës, "pa hequr dorë ndonjëherë nga ëndra e tyre për pavarësi, ata kanë votuar gjithnjë për pacifizëm dhe durim," shkruan gazeta franceze.

Gazeta gjermane FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan se çështja se kush do ta pasojë zotin Rugova do të vërë në provë demokracinë në Kosovë.

Gazeta shprehet së mënyra se si "do të kryhet kjo luftë për pushtet" është më e rëndësishme se sa kush e fiton atë.

"A do të provojë sistemi demokratik i Kosovës se është i qëndrueshëm në masë të pranueshme? ngre pyetjen gazeta.

Gazeta tjetër gjermane FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan se BE-ja do të duhet të luajë një rol aktiv në Kosovë edhe për shumë vite të tjera.

Gazeta argumenton se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të pranojë një ndarje të Kosovës sipas vijave etnike sepse "kjo do të minonte përpjekjet ndërkombëtare gjatë viteve të fundit për një Kosovë shumëetnike".

"Si do që të duket zgjidhja pas negociatash të durueshme, është e qartë se bashkësia ndërkombëtare, ndoshta në formën e BE-së, do të duhet të përgatitet për një lloj roli kujdestar në Kosovë edhe për shumë vite," shkruan gazeta gjermane.

Gazeta austriake DER STANDARD shpreh frikën se vdekja e zoti Rugova ka krijuar një "vakum të rrezikshëm pushteti".

"Për bisedimet e statusit ai kishte transmetuar një ndjenjë drejtimi dhe vetbesimi në vend dhe besueshmëri jashtë," shkruan gazeta.

"Kjo tani nuk ndodh më," shkruan gazeta.

Ajo beson se pa zotin Rugova do të jetë më e vështirë për të shitur idenë se pavarësia e kufizuar me të drejta të mëdha për serbët e Kosovës është "më e mira që mund të arrihet për shqiptarët e Kosovës."

Me këtë ide bashkohet edhe gazeta britanike THE DAILY TELEGRAPH e cila shkruan se ndërsa kosovarët po mbajnë zi për vdekjen e presidentit të tyre, kanë filluar përpjekjet për gjetjen e një pasuesi "për të mbushur vakumin e lënë nga një figurë e fuqishme në negociatat e pavarësisë".

Gazeta citon kreun e administratës së OKB-së në Kosovë Soren Jessen-Petersen që bën thirrje për unitet para bisedimeve me Serbinë, të cilat janë shtyrë për nga fillimi i shkurtit.

"Qëllimi të cilit ai i dedikoi jetën e tij ishte një Kosove e lirë," citohet të ketë thënë Petersen gjatë një mbledhjeje të parlamentit në kujtim të Rugovës.

Gazeta thotë se aleati i Rugovës, Nexhat Daci, kryetar i parlamentit, është ngarkuar me detyrën e presidentit dhe shton se zoti Daci është një nga kandidatët për postin, që duhet mbushur brenda tre muajsh.

"Mbështetësit perëndimorë dëshirojnë që Lidhja Demokratike e Kosovës e Rugovës ta mbushë këtë boshllëk më shpejt."

Gazeta tjetër britake THE INDEPENDENT shkruan se në Kosovë kanë filluar seriozish përpjekjet për të gjetur një udhëheqës tjetër për të drejtuar drejt pavarërisë, pas vdekjes "së udhëheqësit ikonë".

Gazeta shkruan se Rugova është njohur si "Gandi i Ballkanit, për shkak të strategjisë së tij të rezistencës paqësore".

"E ardhmja e Kosovës varet në ekujlibër pas vdekjes së zotit Rugova," shkruan gazeta britanike THE GUARDIAN, në një shkrim nën një foto të madhe të një posteri me foton e zotit Rugova.

"Rugova," shkruan gazeta, "është gati e pamundur të zëvendësohet". Ai ka qenë udhëheqësi për rreth 20 vjet i përpjekjeve për pavarësi.

Gazeta thotë se bashkësia ndërkombëtare është e një mëndjeje se vdekja e tij "nuk duhet lejuar të pengojë procesin drejt zgjidhjes."

"Presidenti Rugova ishte njeri i paqes, i vendosur përballë shtypjes, por i angazhuar thellë në idealet e mosdhunës," shkruan gazeta britanike.

Gazeta FINANCIAL TIMES e titullion lajmin për Kosovën: "OKB-ja bën thirrje për qetësi pas vdekjes së udhëheqësit të Kosovës".

Bashkësia ndërkombëtare, shkruan gazeta, është e shqetësuar se, megjithëse vdekja e zotit Rugova nuk ishte e papritur, ajo mund të pasohet nga debate midis udhëheqësve kosovarë dhe ndoshta mund të nxisë tensione midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe.

"Zoti Rugova nuk jetoi për të parë përmbushjen e ëndrës së tij për një pavarësi të Kosovës," shkruan gazueta.

"Por ai jetoi aq sa të shikonte fillimin e procesit diplomatik që mund të çojë në deklarimin e ndonjë forme të pavarësisë nga fundit i vitit 2006," shkruan gazeta.

Gazeta THE TIMES boton një faqe të tërë dedikuar udhëheqësit kosovar, të cilin e quan "udhëheqësi i vendosur, Gandi i Kosovës, për rezistencën pasive në luftën për pavarësi".

Gazeta boton një shkrim të gjatë për jetën e Rugovës duke theksuar ëndrën e tij për pavarësi.

Gazeta INTERNATIONAL HERALD TRIBUNE boton në faqe të parë një foto të madhe të të shumë kosovarëve që presin t'i bëjnë homazhe presidentit të tyre dhe nën të titullin: "E ardhmaj e Kosovës nën hije nga vdekja e Rugovës."

Duke e quajtur Rugovën "një intelektual që mishëroi shpresat e kosovarëve" gazeta shkruan se "paraqitja akademike e Rugovës dhe pacifizmi i tij i vendosur përballë represionit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut nga forcat serbe të sigurisë në rajon i kanë dhënë atij gati një status ikonik në mesin e bashkëkombasve të tij".

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>