BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 22 janar 2006 - 19:45 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Përkujtohet presidenti Rugova
 
Mbledhja përkujtimore në Kuvendin e Kosovës
Vlerësohet lart figura e presidentit Ibrahim Rugova
Kosova do të mbajë 15 ditë zi kombëtare për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Në gjithë Kosovën, flamujt janë ngritur në gjysmë shtizë, gazetat kanë dalë me edicione speciale dhe me shiritin e zi, ndërsa radiot po transmetojnë muzikë funebre.

Mijëra qytetarë nga të gjitha viset e Kosovës, Luginës së Preshevës, Maqedonisë, Shqipërisë, si dhe nga diaspora, po qëndrojnë në radhë të gjata për të ngushëlluar familjen Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij.

Nuk janë të rrallë qytetarët e të gjitha moshave që nuk përmbahen nga vaji.

Presidenca ka njoftuar se ngushëllimet do të pranohen çdo ditë nga ora 9.00 deri në orën 18.00.

Është thënë se kjo ka qenë dëshirë e familjes Rugova.

Ngushëllime po shprehen edhe në fshatin e lindjes të presidentit, në Cërcë të Istogut.

Në adresë të zyrtarëve të lartë të vendit, po arrijnë me mijëra telegrame ngushëllimi, në mesin e të cilëve edhe nga burra shteti dhe figura të njohura ndërkombëtare.

Ceremonia mortore e presidentit Rugova do të organizohet ditën e enjte, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Paralajmërohet se në këtë ceremoni do të marrin pjesë qindra mijëra qytetarë.

Disa nga detajet e organizimit të ceremonisë mortore janë caktuar në mbledhjen e Këshillit për Varrim që u mbajt të dielën.

Varrimi - të enjten

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha pas mbledhjes së këtij këshilli, se me dëshirën e familjarëve varrimi i presidentit, është shtyrë për një ditë.

“Të enjten do të jetë varrimi, ne mendojmë në varrezat e qytetit, por të gjitha detajet do t’i japim me kohë. Takimi kryesor i përshëndetjeve të fundit do të jetë salla “1 Tetori” në Prishtinë”,- tha kryeparlamentari Daci.

Këshilli i Varrimit ka formuar një grup ekzekutiv, të cilin e përbëjnë politikanë vendorë dhe zyrtarë ndërkombëtarë, të cilët do të përcaktojnë të gjitha ceremonitë, përfshirë edhe pritjen e delegacioneve të shteteve që do të marrin pjesë në varrimin e kryetarit Rugova.

Grupi ekzekutiv për ceremoninë e varrimit përbëhet nga Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit, Soren Jessen-Petersen, shef i UNMIK-ut, Guissepe Valotto, komandant i KFOR-it, Fatmir Sejdiu, Adem Salihaj, Kolë Berisha, Alush Gashi, Sali Cacaj dhe Xhavit Haliti, deputet.

Është propozuar gjithashtu që rojën e nderit dhe nderimet ceremoniale t’i bëjë Garda Ceremoniale e Trupave të Mbrojtjes të Kosovës

Kryeparlamentari Daci tha se shumë figura politike ndërkombëtare kanë shfaqur interesim për të marrë pjesë në varrimin e presidentit Rugova, por ai nuk përmendi ndonjë emër.

“Ka shumë personalitete të ndryshme që e kanë shprehur dëshirën të marrin pjesë në varrim, por unë nuk do të doja të flas me emër”, u shpreh zoti Daci.

Vlerësohet figura e presidentit Rugova

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të dielën një seancë përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e presidentit Rugova, ku morën pjesë edhe kryeministri Kosumi me anëtarët e kabinetit të tij si dhe shefi i UNMIK-ut, Petersen, komandati i KFOR-it, gjenerali Valotto dhe përfaqësues të zyrave diplomatike në Prishtinë.

Kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci tha në fjalimin përkujtimor se presidenti Rugova nuk kurseu asgjë, por flijoi çdo gjë që sot populli i Kosovës të jetojë i lirë.

“Kosova është krenare që e pati Ibrahim Rugovën. Kosova është e sigurtë në të ardhmën e saj, sepse e ka veprën e presidentit Ibrahim Rugova. Le të pushojë i qetë në parajsë, Presidenti ynë”,- tha zoti Daci.

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, ndërkaq tha se Kosova ka humbur presidentin Rugova në një moment shumë të ndjeshëm, që siç tha ai mund të krahasohet me “një tragjedi njerëzore”.

Sipas zotit Petersen, presidenti Rugova ka qenë element përcaktues në polikën e Kosovës për një kohë të gjatë dhe "tani është e vështirë ta mendojnë Kosovën dhe politikën kosovare pa të. "

“Takimi im i parë me presidentin ka qenë në vitin 1996 dhe më pas ai më tërhoqi me pandryshueshmërinë e vizionit të tij politik dhe vendosmërinë për qëllimin e tij të vetëm të cilit ia kushtoi jetën – e kjo është Kosova e lirë. Ky është vizion dhe qëllim të cilin e ndajnë shumica e popullsisë në Kosovë dhe ky Kuvend”.

“Është një vizion, realizimi i të cilit është në duart tuaja, liderëve të Kosovës. Bashkimi dhe përkushtimi juaj për të jetësuar vizionin e presidentit Rugova është thelbësor për muajt e ardhshëm. Ne kemi humbur presidentin Rugova në një kohë të ndjeshme që përmbledhë gjithë atë që quhet “tragjedi njerëzore,”tha zoti Petersen në Parlament.

Kryeministri Bajram Kosumi ndërkaq tha se presidenti Rugova është njeri i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se Presidenti Rugova ishte bartës i proceseve në Kosovë, ndërtues i institucioneve dhe njeri i durimit.

Sipas tij, Ibrahim Rugova është cilësuar si njeri i pavarësisë dhe emri i tij është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës.

“Presidenti Rugova edhe përtej kufijve të Kosovës, kudo nëpër botë, ka krijuar imazhin e njeriut të pavarësisë së Kosovës. Ne i kemi borxh njeriut të paqes e pavarësisë, për ta bërë shtetin e Kosovës, amanetin e tij më të shenjtë e më të madh. I kemi mbetur borxh njeriut të Kosovës që ta ndërtojmë Kosovën shtet të qytetarëve të saj. Ai ishte njeri i bashkimit dhe tolerancës, njeri i mirëkuptimit dhe i forcës intelektuale dhe njeri i së tashmes e të nesërmes,”theksoi kryeministri Kosumi.

Jetën dhe veprën e presidentit Rugova e ka përkujtuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i së cilës ishte ai.

Kryetari i këtij institucioni, akademiku Rexhep Ismajli ka folur për veprat dhe hulumtimet shkencore të presidentit në fushën e letërsisë.

“Ibrahim Rugova veproi me qëndrimin për të mos iu shtruar regjimeve në një interpretim të vetëm. Me gjerësinë e teorive tematike, kritike, inicuese, me nismat e projekteve hulumtuese, na solli përpara një vepër që shtron çështje dhe hap horizonte,”- tha akademik Ismajli.

Ndërkohë, në Prishtinë janë takuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, komandanti i KFOR-it, Guissepe Valotto si dhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Golberg, për të diskutuar për zhvillimet e mëtejme në Kosovë, pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen - Petersen tha se tani duhen lënë anash çështjet politike për t'i bërë nderim presidentit Rugova.

Por, zoti Jessen-Petersen ka theksuar se ëndrra e presidentit Rugova për një Kosovë të pavarur do të mund të bëhej realitet me një punë të përbashkët të të gjithëve.

“Është një ëndërr e qartë. Dhe, me bashkim, të gjithë do të punojnë së bashku për të bërë të mundur që kjo ëndërr të bëhet realitet,” ka thënë Jessen-Petersen duke vlerësuar se presidenti Rugova ka luajtur një rol kyç në procesin politik.

Sipas tij, presidenti Rugova ka vënë bazat e një vizioni për Kosovën.

“Ai ka ofruar udhëzimet e qarta dhe secili e di se cilën rrugë ai do të dëshironte të ecë. Ju keni dëgjuar deklarata të unifikimit dhe ju do të vazhdoni t'i dëgjoni ato. Unë nuk do të shqetësohesha shumë rreth kësaj. Tani ne po mbajmë zi dhe po e respektojmë figurën e tij. Ne jemi të gatshëm të përgatisim një ngjarje të dinjitetshme me funeralin e tij dhe të tregojmë se presidenti Rugova me të vërtetë e ka merituar këtë,”- tha të dielën Jessen-Petersen.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>