BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 10 janar 2006 - 07:55 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Turqia përpiqet të kontrollojë gripin e shpendëve
 
Eliminim i shpendëve në Turqinë lindore
Përpjekje për të vënë nën kontroll gripin e shpendëve në Turqi
Autoritetet në Turqi kanë intensifikuar përpjekjet për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit të gripit të shpendëve H5N1, që ata thonë se ka infektuar të paktën 14 persona dhe ka shkaktuar vdekjen e të paktën dy vetëve.

Televizioni turk po transmeton informacione për shëndetin, është ngritur një linjë telefonike, dhe po shpërndahen fletushka në gjuhën turke dhe kurde në rajonin lindor ku filloi epidemia.

Zyrtarët vendorë thonë se eliminimi i shpendëve duhet të përfundojë brenda dy ditësh. Deri tani janë eliminuar të paktën 14 mijë shpendë.

Raste të infeksionit tek njerëzit janë konfirmuar në kryeqytetin Ankara dhe në tre provinca veriore, dhe virusi është vënë re ndër shpendë deri në Stamboll.

Zyrtarët turq këmbëngulin se po bëjnë ç'është e mundur në përpjekje për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit, por, ndërsa tani janë konfirmuar pesë raste me shtamin vdekjeprurës N5N1 të virusit në kryeqytetin Ankara, është e qartë se virusi po përhapet në perëndim.

Të paktën 13 fëmijë i janë nënshtuar testeve në spital dhe katër të tjerë nga provincat veriore janë provuar tashmë se kanë sëmundjen.

Të gjithë të prekurit kanë qenë në kontakt të afërt me shpendë të sëmurë.

Zëvendësdrejtori në ministrinë turke të shëndetësisë Fehmi Aydin tha se në çdo rajon të vendit po zhvillohet një fushatë për rritjen e vetëdijes së publikut.

"Ne kemi informuar të gjitha provincat në të gjithë vendin dhe kemi dërguar tamiflu në 81 provinca," tha zoti Aydin.

"Në gjithë vendin e kanë këtë medikament anti-viral dhe ne po zbatojmë planin tonë."

OBSH-ja vëzhgon

 Deri tani nuk ka asnjë provë për të na bërë ne të mendojmë se virusit po përhapet nga njeriu në njeri.
 
Guenael Rodier, kreu i OBSH-së në Turqi

Nuk flitet ende për një epidemi të gjerë, por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se me shtimin e rasteve të infeksionit tek njerëzit rritet mundësia që sëmundja të shndërrohet në një formë shumë më të rrezikshme që mund të kalohet nga njeriu në njeri.

Koordinatori i OKB-së për gripin e shpendëve, David Nabarro, ka shprehur shqetësimin për atë që ai e quajti "përhapja e pandalur e sëmundjes".

Dr Nabarro tha se ngjarjet në Turqi ishin një paralajmërim për botën për t'u përgatitur për një epidemi të gjerë gripit të shpendëve.

Ekspertët nga OBSH-ja kanë thënë se deri tani nuk ka shenja se virusi i shpendëve po kalohet nga njeriu tek njeriu.

Kreu i ekipit të OBSH-së në Turqi Guenael Rodier tha se po ndiqnin nga afër përparimin e sëmundjes.

"Sa më e përhapur të jetë sëmundja tek kafshët, aq më shumë mundësi ka që ato të kenë kontakt me njerëzit," tha zoti Rodier.

"Për momentin ne po vëzhgojmë një përhapje të vogël, në familje, duke infektuar gjithnjë fëmijë dhe është dokumentuar mirë se ata kanë qenë në kontakt me pulat e sëmura," tha ai duke thënë se mesazhi për publikun është që të parandalojnë fëmijët dhe të rritur që të bien në kontakt me kafshët e ngrodhura apo të sëmura.

"Deri tani nuk ka asnjë provë për të na bërë ne të mendojmë se virusit po përhapet nga njeriu në njeri."

 
 
LOKALE
Ekspertë të OBSH në Turqi
09 janar 2006 | Faqja Kryesore
OBSH-ja heton virusin e shpendëve në Turqi
08 janar 2006 | Faqja Kryesore
Panik në Turqi për gripin e shpendëve
07 janar 2006 | Faqja Kryesore
Turqia zbulon raste të gripit të shpendëve
05 janar 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>