BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 08 janar 2006 - 08:14 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
OBSH-ja heton virusin e shpendëve në Turqi
 
Në Turqinë lindore kryhet eliminimi i zogjve
Zogjtë eliminohen pas shpërthimit të virusit të shpendëve
Një grup ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) shkon në Turqinë lindore për të hetuar lidhur me shpërthimin e epidemisë së gripit të shpendëve që ka shkaktuar deri tani vdekjen e tre fëmijëve.

Të shtunën testet treguan se dy fëmijë që po trajtoheshin për virusin e shpendëve kishin shtamin H5N1 të virusit, që e kishin gjithashtu edhe dy nga fëmijët që gjetën vdekjen.

Hetimi në terren nga OBSH-ja do të përqëndrohet në burimin e këtij shpërthimi të sëmundjes dhe pikërisht në mënyrën se si transmetohet ajo.

Deri tani nuk ka shenja se sëmundja transmetohet nga njeriu në njeri - mendohet se fëmijët e kanë marrë sëmundjen duke qëndruar pranë pulave të infektuara - por këtë shkencëtarët duan ta përcaktojnë me siguri.

Ata do të shqyrtojnë gjithashtu teorinë nëse pulat në Dogubayazit e morën fillimisht virusin nga zogjtë shtegëtarë.

Të katër rastet e sëmundjes në njerëz deri tani janë fëmijë - më i vogli vetëm pesë vjeç.

Gati 30 persona të tjerë janë ende duke u trajtuar në spital me dyshimin se kanë gripin e shpendëve dhe mjekët janë shumë të zënë duke u përballur me pacientë të shqetësuar të cilët kanë frikë se çdo kollitje apo temperaturë mund të jetë simptomë e virusit vdekjeprurës.

Në Dogubayazit janë eliminuar deri tani rreth 12 mijë zogj, pula e gjela deti, që janë varrosur thellë nëntokë në përpjekje për të ndaluar një përhapje të mëtejshme të virusit.

Pas mëse një jave eliminimi i tyre gati ka përfunduar në qendrën e qytetit, por ky proces nuk ka arritur ende tek shumica e familjeve në fshatrat më tej.

Ndërsa zyrtarët e pranojnë se burimet e tyre kanë arritur limitet, banorët vendas janë të indinjuar dhe shqetësuar se masat që mendohet t'i mbrojnë ata po vendosen me kaq ngadalësi.

 
 
LOKALE
Panik në Turqi për gripin e shpendëve
07 janar 2006 | Faqja Kryesore
Turqia zbulon raste të gripit të shpendëve
05 janar 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>