BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 02 dhjetor 2005 - 12:19 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Blair lufton për buxhetin e BE-së
 
Kryeministri britanik Tony Blair
Blair bën diplomaci për të arritur marrëveshje për buxhetin e BE-së
Kryeministri britanik, Tony Blair, ndodhet në Hungari për t'i shpjeguar propozimin e tij për të miratuar një buxhet të BE-së vendeve të reja anëtare të Evropës qendore.

Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve të Hungarisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovakisë që të pakësimin e ndihmave rajonale të zhvillimit si pjesë e propozimit për marrëveshje për buxhetin e BE-së deri në vitn 2013.

Ai pati takime të ngjashme me udhëheqës në vendet balltike një ditë më parë.

Britania duket e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e rabatit financiar që merr nga BE-ja me qëllim që të sigurojë një marrëveshje për buxhetin e ri të BE-së.

Kuptohet se zoti Blair do të ofrojë të heqë dorë nga një pjesë e rabatit për të kompensuar vendet e reja anëtare më të varfra.

Tony Blair konsiderohet në Evropën lindore e qendrore si kampion i një integrimi më të gjerë dhe më të cektë që u hapi hapësirë vendeve si Hungaria apo Polonia dhe mund të krijojë të njëjtën hapësirë për Ukrainën dhe Turqinë në të ardhmen.

Por debati lidhur me buxhetin e BE-së kërcënon të minojë marrëdhëniet e mira.

Vetëm një vit pasi u anëtarësuan, vendet e reja anëtare prisnin të kishin një qasje ndaj fondeve strukturore të BE-së për projekte rrugore dhe hekurudhore, kanalizime, spitale dhe shumë gjera të tjera, veçanërisht në rajonet më të varfra lindore.

Dhe vendet me numër të madh bujqish të vegjël si Polonia kanë përfituar nga subvencionet e bujqësisë që janë kaq të rëndësishme për Francën.

Kryeministrat që janë mbledhur në Budapest do të dëgjojnë me vëmendje propozimet e Tony Blairit, por do të duhen shumë argumente për t'i bindur ata që t'i bëjnë këto sakrifica për hir të unitetit të Bashkimit Evropian.

Rabati

Rabati i buxhetit i Britanisë u sigurua nga ish-kryeminstrja Margaret Thatcher në vitin 1984.

Ajo argumentoi atëhere se Britania duhej të kompensohej sepse në atë kohë, ekonomia e vendit ishte në gjendje të vështirë dhe vendi merrte nivele relativisht të vogla subvencionesh nga BE-ja për bujqit.

Rabati, me një vlerë prej gjashtë miliardë dollarësh me çmimet e sotme, kishte si qëllim që ta ribalanconte buxhetin.

Por që atëhëre shëndeti i ekonomisë britanike është përmirësuar shumë dhe ndërsa janë anëtarësuar edhe 10 vende të tjera në BE, përgjithësisht pranohet se rabati duhet eliminuar.

Fillimisht zoti Blair tha se rabati nuk do të negociohej, pastaj ai sugjeroi se ai mund të zvogëlohet nëse reformohej sistemi i subvencioneve të bujqësisë.

Zoti Blair është përfshirë në përpjekje diplomatike për të miratuar buxhetin afatgjatë të BE-së brenda presidencës britanike të BE-së këtë vit.

Duket se ai tani ai e ka kuptuar se do të duhet të heqë dorë nga një pjesë e rabatit pa marrë konçesione për subvencionet e bujqësisë.

Britania shpreson se mekanizmi i rabatit do të vazhdojë të qëndrojë, por në vend të garancisë për reforma të menjëhershme në subvencionet, ai duket i gatshëm të pranojë një rishkim të sistemit brenda periudhës financiare deri në vitin 2013.

Rabati është bërë në Britani një simbol i rëndësishëm dhe lëshimi, madje edhe i një pjese të tij, do të përshkruhet nga kundërshtarët e zotit Blair si dorëzim.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>