BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 07 qershor 2005 - 19:54 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Grunnet i ODIHR-it flet për BBC-së
 
Kryesuesi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve Jurgen Grunnet
Z. Grunnet tha se rezultati i zgjedhjeve duhet të reflektohet në parlament
Në Shqipëri kryesuesi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve, pranë ODIHR-it, Jurgen Grunnet, në një intervistë për BBC-në, tha se zgjedhjet e 3 korrikut duhet të respektojnë dispozitën kushtetuese të vendit, e cila thotë se rezultati i zgjedhjeve duhet të reflektohet edhe në përbërjen e parlamentit të ri.

Një raport i ODIHR, për zgjedhjet, ngrinte shqetësime për listën e votuesve dhe koalicionet informale, në prag të zgjedhjeve të tre korrikut.

Nazim Rashidi bisedoi me z. Grunnet, dhe në fillim e pyeti sa serioze janë shqetësimet të cilat i përmend raporti?

Grunnet: Mund të them se ne kemi evidentuar disa çështje të cilat po i shikojmë. Këto janë çështje që ende po i hetojmë, për të parë nivelin e tyre, ne po shikojmë aleancat formale dhe joformale, si dhe çështje të tjera. Në këtë moment nuk do të doja t'i përshkruaja as si çështje serioze ose joserioze.

Por ajo që doja të thoja është se, ka një faktor të rëndësishëm: në kushtetutë thuhet se votat e elektoratit duhet të reflektohen në parlament, sa më afër që është e mundur me rezultatet zgjedhore. Këto nuk janë fjalët e sakta, por ky është kuptimi.

BBC: Në këtë kontekst atëhere z. Grunet në raportin tuaj, ju thoni se sistemi kompleks zgjedhor u krijon mundësi partive të krijojnë aleanca informale, të cilat siç thoni ju, "do të ulin efektivitetin e sistemit zgjedhor", çfarë nënkuptoni me këtë?

Grunnet: Atë që mendojmë është se kombinimin që ka Shqipëria mes votimit mazhoritar dhe proporcional, mund të mos jetë mjeti më i mirë për të realizuar objektivin kushtetues që sapo e përmenda.

BBC: Ka pasur sygjerime për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga OSBE, atëhere a keni edhe ju sugjerime se ç’duhet ndryshuar pas zgjedhjeve të 3 korrikut?

Grunnet: Nuk kemi asnjë sugjermim. Misioni i ODIHR-it është prezent në Shqipëri për të raportuar për zgjedhjet, bazuar mbi faktet e gjetura në terren. Ne nuk po përpiqemi që të këshillojmë qeverinë apo dhe Parlamentin se si duhet ndryshuar sistemi. Ne thjesht raportojmë për zgjedhjet mbi bazën e fakteve që shohim.

BBC: Atëhere, në më pak se një muaj para ditës së zgjedhjeve, a mendoni se mund të tejkalohen këto shqetësime për të cilat flisni?

Grunnet: Sigurisht që ka shumë çështje që kemi evidentuar dhe kanë natyrë praktike dhe se duhet të zgjidhen, si problemet me listën e votuesve.

Gjithashtu zgjidhje duhet të ketë edhe për vendosjen e policisë. Kërkesat ligjore janë që policia duhet të jetë prezente në vendvotime si dhe të shoqërojë transportin e kutive të votimit nga vendvotimet në qendrat e votimit. Duhet gjetur një zgjidhje për të pasur një numër të mjaftueshëm policësh për të kryer këto detyra.

BBC: Atëhere z. Grunnet a i kanë marrë në shqyrtim këto sugjerime partitë kryesore shqiptare?

Grunnet: Kur unë bisedoj me udhëheqësit politikë dhe me autoritetet, si z. Celibashi, kryetari i KQZ-së, ata janë të gatshëm të dëgjojnë atë që ne themi.

Më duhet të them se të gjithë udhëheqësit politikë dhe autoritetet shprehin vendosmëri për të zhvilluar zgjedhje brenda standardeve ndërkombëtare.

BBC: Z. Grunet si e shikoni veprimin e partive politike në fillim të fushatës?

Grunnet: Mendoj se atmosfera agresive dhe konfrontuese që ishte prezente në zgjedhjet e vitit 2001, është paksa më e ulët kësaj here.

Në këto zgjedhje, partitë duket se janë më shumë të përqëndruara në prezantimin e programeve dhe ideve përpara elektoratit.

Kjo nuk do të thotë ndërkohë se nuk ka agresivitet në politikën shqiptare, ende ka shumë deklarat agresive, por ka një nivel pak më lartë konstruktiviteti në fushatë, në krahasim me fushatën katër vjet më parë dhe shpresoj se kjo do të vazhdojë deri në fund të saj.

BBC: Atëherë z. Grunnet, duke pasur parasysh vëzhgimin tuaj deri më tani, si mendoni se do të zhvillohen zgjedhjet më 3 korrik?

Grunnet: Unë nuk pres asnjë gjë. Ne e bazojmë raportin tonë mbi fakte, dhe shpresojmë se do të jetë pozitiv. Por ne do të raportojmë faktet siç do t'i gjejmë, pa dallim nëse ato janë pozitive ose negative.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>