BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 01 qershor 2005 - 18:28 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Sondazhi flet për barazpeshë
 

 
 
Numërim i votave
Sondazh i Gallup International dhe Lëvizjes "Mjaft!"
Një sondazh i Gallup International në bashkëpunim me lëvizje shqiptare "Mjaft!", sugjeron se dy forcat politike rivale në Shqipëri kanë mbështetje të barabartë në elektorat më shumë se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Sipas sondazhit, Partia Socialiste (PS) në pushtet dhe Partia Demokratike (PD) e opozitës kanë mbështetje të barabartë, 34 përqind, në vend të tretë, është Lidhja Socialiste për Integrim (LSI) me 10 përqind mbështetje dhe në vend të katërt, aleanca pro-monarkiste Lidhja për Zhvillim Kombëtar me 2 përqind.

Rreth 6 përqind e njerëzve rezultojnë ende të pavendosur se për kë do të votojnë.

Sondazhi është porositur nga lëvizja rinore "Mjaft!", është realizuar nga Gallup International, organizëm me përvojë ndërkombëtare në fushën e sondazheve, ndërsa mbështetjen financiare e kanë dhënë ambasadat e Britanisë së Madhe dhe Hollandës në Tiranë.

Sipas organizatorëve, marzhi i gabimit të sondazhit është (+ -) 2,6 përqind dhe është kryer në një kampion prej 1400 të intervistuarish në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë.

Sondazhi është kryer në javën e tretë të muajit maj dhe përfaqësues të lëvizjes "Mjaft!" nënvizojnë se rezultatet e tij tregojnë një fotografim të situatës politike në Shqipëri në atë javë që janë kryer intervistat me njerëzit.

Rezultatet

Sondazh mbi mbështetjen politike
PS 34 përqind
PD 34 përqind
LSI 10 përqind
LZHK 2 përqind
Të pavendosur 6 përqind
Gallup International-Mjaft

Pyetjes se cili është problemi aktual me shqetësues në Shqipëri, të anketuarit i janë përgjigjur në shumicë se është papunësia, në vend të dytë korrupsioni dhe më tej varfëria dhe niveli i ulët i jetesës.

Ndërsa të pyetur se cila forcë politike do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme, 39 përqind e njerëzve mendojnë se zgjedhjet do t'i fitojë PD-ja, dhe 33 përqind mendojnë se ato do t'i fitojë PS-ja.

Sidoqoftë me shumë se gjysma e të intervistuarve, ku futen edhe një pjesë e mirë e votuesve të PS-së, mendojnë se qeveria e ardhshme duhet të jetë e ndryshme dhe të zbatojë politika të reja.

Ndjeshmëria për situatën e përgjithshme ekonomike rezulton gjerësisht në një shkallë negative.

Shumica mendojnë se rritja ekonomike është e ngadaltë dhe përsëri shumica fajëson për këtë qeverinë dhe më pak politikën në përgjithësi.

E dhënë interesante e sondazhit është ajo që ka të bëjë me preferencat personale të njerëzve për politikanët.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, rezulton politikani më popullor, i ndjekur nga ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko. Kryeministri Fatos Nano është në vendin e 11, kurse udhëheqësi i opozitës Sali Berisha në vendin e 7-të.

Kulturave sondazheve është pak e zhvilluar në Shqipëri. Në të shumtën e rasteve, në zgjedhjet e kaluara ato përgjithësisht janë paragjykuar dhe nuk kanë pasur besueshmëri.

Në këto zgjedhje duket se sondazhet do të kenë një vend më të rëndësishëm në panoramën e përgjithshme elektorale.

Organizatorët e këtij sondazhi nënvizojnë karakterin shkencor dhe kriteret rigoroze të ndjekura si edhe faktin që ai është kryer nga një organizëm me përvojë ndërkombëtare si Gallup International.

Një sondazh i muajit prill i kryer nga Instituti Kombëtar Demokratik (National Democratic Institute) ka nxjerrë të tjera përfundime. Ai sugjeron jë përkrahje prej 42 përqind për PD-së, dhe 34 përqind për PS-në.

Organizatorët e sondazhit, Lëvizja "Mjaft!" ka denoncuar presione nga të dy krahët e politikës gjatë ditëve të fundit në kohën e përpunimit të të dhënave të sondazhit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>