http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 09 shtator 2004 - 07:09 CET

Paralajmërim për garë bërthamore midis Koreve

Koreja e Veriut paralajmëron për një garë të mundshme armatimi bërthamor në rajon pas lajmit se shkencëtarë në Korenë e Jugut kishin katër vjet që kryenin eksperimente të suksesshme për pasurimin e uraniumit.

Në komentin e parë nga Pheniani që kur Seuli pranoi eksperimentin e fshehtë, një zyrtar koreanoverior në OKB, Han Song-ryl, e quajti eksperimentin bërthamor të Seulit si një hap të rrezikshëm, që do ta bënte të vështirë shmangien e një gare armësh bërthamore në Azinë verilindore.

Zëvendëskreu i misionit të Koresë së Veriut në OKB i tha një agjencie koreanojugore lajmesh se SHBA-ja po zbatonte standarde të dyfishta duke reaguar butë ndaj eksperimentit.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se ky eksperiment nuk duhet të kishte ndodhur, por shtoi se Uashingtoni ishte i kënaqur që Seuli po punonte në mënyrë transparente.

Analistët thonë se Koreja e Veriut mund ta përdorë këtë çështje për të vonuar më shumë bisedimet shumëpalëshe lidhur me programin e saj të debatueshëm bërthamor, që pritet të rifillojnë këtë muaj.

Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë qenë në krye të përpjekjeve për ta bindur Veriun të heqë dorë nga programi i tij për prodhimin e bombës atomike.

Zyrtarët në Seul janë përpjekur ta zvogëlojnë rëndësinë e eksperimentit duke thënë se ai ishte i vetmi që bëhej nga shkencëtarë pa autorizimin e qeverisë.

Por qeveria pranon tani se duhet ta kishte bërë publike sasinë e vogël të uraniumit të pasuruar që po prodhohej.

Agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike po e heton këtë çështje dhe do të bëjë një raport paraprak ditët e ardhshme.