BBCAlbanian.com
 
Përditësimi: Botuar: E premte, 02 prill 2004 - 07:13 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Prodi porosit që Shqipëria të ndihmojë vetveten
 
Romano Prodi duke u intervistuar nga Faik Luta i BBC-së
Zoti Prodi i tha BBC-së se Shqipëria ka nevojë për stabilitet
Komisioni Evropian i ka bërë një thirrje të fuqishme Shqipërisë që të shpejtojë me zbatimin e reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në pas botimit të raportit në të cilin Shqipëria vlerësohet se po bën progres, por jo të mjaftueshëm, presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi tha se rruga e Shqipërisë drejt integrimit në BE është e gjatë.

Me zotin Prodi bisedoi Faik Luta dhe fillimisht e pyeti se çfarë dmth kjo, se Shqipëria ka shënuar progres, por jo të mjaftueshëm

Prodi: Progres, por jo mjaft. Është shumë thjeshtë. Le të themi, kemi filluar të punojmë për marrëveshjen për stabilizim dhe asociim. Këto janë rregulla të përpikta dhe është bërë progres sidomos në legjislacion, por jo sa duhet, sepse zbatimi i këtyre rregullave është shumë i ngadalshëm. Tensioni dhe mungesa e stabilitetit të sistemit vazhdojnë të jenë brengosëse. Prandaj ne i bëjmë thirrje, vërtetë i bëjmë thirrje Shqipërisë që të vrapojë më shpejt.

BBC: A do të thotë kjo se rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë e gjatë?

Prodi: Po, është e gjatë, por është shumë me rëndësi që filloi. Unë desha që ajo të fillojë. Në samitin e Selanikut, ishte befasi e madhe që arritëm marrëveshjen që nesër, natyrisht jo sot, të kemi mundësinë që të kemi të gjitha shtetet ballkanike brenda BE-së, sepse kjo është zgjidhja e vërtetë politike. Nuk mund të keshë stabilitet afatgjatë nëse nuk ke këtë raport me BE-në, për arsye ekonomike dhe politike. Këtë ia thashë Shqipërisë, por është edhe rrugë e gjatë, sepse vendi duhet të bëjë reforma dhe t'i zbatojë ato. Ne e bëmë planin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit, por zbatimi i këtij plani nuk është siç kam shpresuar. Por kjo nuk do të thotë se drejtimi është i gabuar. Drejtimi është i mirë, por shpejtësia nuk është e mirë.:

 Tensioni dhe mungesa e stabilitetit vazhdojnë të jenë brengosëse
 
Romano Prodi

BBC: Gjatë vizitës tuaj të fundit në Tiranë ju keni dhënë këtë këshillë - Stabilitet, stabilitet, stabilitet. A mendoni se Shqipëria ka patur stabilitetin e duhur gjatë kësaj periudhe?

Prodi: Po ta vizitoj Shqipërinë tani siç shpresoj të bëj, sepse gjithmonë më pëlqen të shkoj në Shqipëri, edhe vetë ndihem si në shtëpi, unë do të përsëris stabilitet, stabilitet dhe stabilitet, sepse vërtetë nuk ka stabilitet brenda dy partive të mëdha dhe prandaj nuk ka stabilitet në vend. Çdo ditë tensione, probleme, konfrontime, përleshje dhe kjo nuk është ajo që duhet për vendin. Vendi ka nevojë për reforma dhe zgjidhje demokratike të problemeve. Në jetën politike duhet patur më shumë marrëveshje dhe më pak korrupsion. Që më pak të përdoren instrumentet publike për qëllime private apo qëllime partiake. Për këtë arsye duhet stabilitet, stabilitet, stabilitet

BBC: Zoti Prodi. A jeni i kënaqur me atë që po bëjnë udhëheqësit politikë shqiptarë në kuadër të integrimit të mëtejmë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian?

Prodi: Unë tashmë e shpjegova vetë duke thënë se dua që ata të luftojnë më shumë korrupsionin dhe të luftojnë më shumë për ndërtimin e institucioneve. Institucionet duhet të jenë të fuqishme. Parlamenti, institucionet gjyqësore, të respektohen nga të gjitha palët, në të gjitha anët e vendit dhe Shqipëria ka bërë progres. E dini, në Shqipëri ka jetë. Kur shikoj vendet e tjera dhe i krahasoj me Shqipërinë, Shqipëria është vend i gjallë. Nuk është vend i vdekur. Dhe kjo është shumë me rëndësi. Por pengesa është se kjo jetë nganjëherë nuk drejtohet në drejtimin e duhur dhe kjo e bën jetën demokratike aq të trazuar siç është në Shqipëri.

BBC: A po bën BE-ja mjaft për të ndihmuar Shqipërinë drejt integrimit?

Prodi: Më duhet të bëj përpjekje të jem i sinqertë kur flas edhe për veten time. Qëkur kemi filluar t'i afrohemi Shqipërisë, Bashkimi Evropian ka dhënë rreth 1 miliardë euro. Kjo është shumë e jashtëzakonshme dhe kemi filluar një dialog shumë produktiv politik. Edhe në samitin e Selanikut, unë dhe ne, u angazhuam për Shqipërinë. Natyrisht. Kurrë nuk është mjaft, sepse edhe për nga sasia, dimensioni, është e qartë se vendi mund të absorbojë më shumë, por kjo ishte puna maksimale që mund të bënim brenda kësaj periudhe dhe është në linjë me ndihmën për qeveritë e shteteve të tjera në atë zonë. Por ajo që do të doja të theksoj është se - thashë më parë se Shqipëria është shoqëri vitale - dua të përsëris këtë, sepse kur shkoni në vende të tjera, problemi është se keni shoqëri që nuk kanë mobilitet, nuk kanë fermentim njerëzish. Shqipëria i ka këto dhe problemi është të vihen në drejtimin e duhur. Ne po bëjmë përpjekje të ndihmojmë për këtë. Natyrisht nuk mund të ndërhyjmë në jetën e përditshme politike të Shqipërisë. Shqipëria është shtet sovran. Ne duam të ndihmojmë Shqipërinë të jetë sovrane, autonome, e fuqishme brenda strategjisë evropiane, por jo të zëvendësojmë veten me institucione. Këtë nuk mund ta bëjmë.

BBC: Kur flitet për integrimin e BE me shqiptarët, gjëja e parë që ngrihet, sidomos tek të rinjtë shqiptarë, është liria e lëvizjes e cila sipas tyre do të zgjidhte shumë probleme përsa i përket situatës së tyre aktuale. Pse BE nuk u ofron shqiptarëve viza më të relaksuara? A mendoni ju se me një regjim më të relaksuar të vizave, tragjedi si ajo e Karaburunit nuk do të ndodhnin?

 Problemi i vizave duhet zgjidhur së bashku
 
Romano Prodi

Prodi: Problemi i vizave është shumë delikat, sepse është simbol. Nuk është e vërtetë, por merret si simbol i paritetit të një vendi. E kuptoj këtë, por dua të them se unë kam qenë mbështetës për të ndihmuar Shqipërinë që të ketë një ndryshim të shpejtë të regjimit të vizave, por më duhet t'ju them se në këtë situatë është shumë vështirë dhe ju më pyetët përse. Sepse na duhet një premtim që flet për luftën e fuqishme kundër krimit të organizuar. Na duhet një premtim nga një sistem gjyqësor që funksionon sipas rregullave të përpikta e të rrepta. Ne na duhet një premtim se po bëhet luftë kundër korrupsionit. Unë gjithmonë përpiqem të dëgjoj ndonjë lajm të mirë nga Shqipëria. Dëgjon një lajm të mirë e pastaj një episod në të cilin sheh se kriminaliteti nuk pengohet. Na ndihmo Shqipëri. Shqiptarë, na ndihmoni sepse unë jam gati, derisa të jem në Komisionin Evropian që të pranoj çdo sinjal të mirë për të çuar procesin e vizave përpara. Por çdo herë që kam filluar këtë, më është dashur të tërhiqem për shkak të problemeve reale objektive të policisë dhe kontrollit të kriminalitetit dhe sjelljeve. Pra, problemi i vizave duhet zgjidhur së bashku. Unë kurrë nuk mendoj se viza është instrument i përshtatshëm në raportet midis shteteve. Më i rëndësishëm është bashkëpunimi i policisë. Por deri në momentin kur nuk kemi këtë bashkëpunim, viza mendohet se është instrumenti i vetëm në duart tona. Pra, le të punojmë së bashku. Unë do të isha njeriu më i lumtur që të pezulloja regjimin e vizave.

BBC: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët, për udhëheqësit shqiptarë dhe qytetarët shqiptarë në këtë moment?

Prodi: Keni një rast të madh, sepse për herë të parë në historinë tuaj të re keni mundësinë të hyni hap pas hapi njëherë në një zonë e pastaj në një Bashkim në të cilin siç e shihni ekziston një paritet i vërtetë. Ne jemi zgjeruar tani dhe kemi nga një komisioner për çdo shtet anëtar. Një komisioner për Gjermaninë me më shumë se 80 milionë njerëz dhe një komisioner për Maltën me më pak se 400 mijë banorë në mënyrë që të ruajmë paritetin dhe dinjitetin e vendit. E keni këtë rast dhe ju lutem kuptoni. Duke hedhur shikimin nga historia e juaj dhe nga e ardhmja drejt këtij rasti, ju lutem, mos hezitoni që në jetën tuaj politike të keni më shumë transparencë. Të na besoni se jemi seriozë. Ndihmoni veten dhe përgjigja ime është se ndihma jonë do të rritet.

BBC: Ju faleminderit për kohën!

Prodi: Ishte kënaqësi e imja. Unë e konsideroj veten se... jam qytetar nderi i Vlorës dhe në një mënyrë, unë jam qytetar shqiptar.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>