BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 12 prill 2010 - 17:10 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Polonia vajton viktimat e aksidentit ajror
 

Trupi i Presidentit Lech Kaczynski është kthyer në Poloni, pas vdekjes së tij në një aksident ajror në Rusi, së bashku me dhjetra zyrtarë të lartë.

Polakët e tronditur në Varshavë morën një edicion special gazete të botuar për nder të tij dhe mbajtën dy minuta heshtje.

Ndërsa lajmi i aksidentit u përhap të shtunën, njerëzit e pikëlluar u drejtuan për në pallatin presidencial në Varshavë.

Një qilim me qirinj dhe lule ishte krijuar jashtë pallatit në mbrëmjen e të shtunës.

Në vendin e rrëzimit të avionit ditën e dielë, disa vizitorë polakë vajtuan me dhimbje.

Vëllai binjak i Lech Kaczynskit, Jaroslaw (në të djathtë të fotos) e vizitoi vetë vendin e ngjarjes. Një mik i tij tha se ishte "shumë i pikëlluar".

Ndërkohë ushtarë polakë morën pjesë në një meshë të posaçme të mbajtur në kryeqytet. Midis viktimave të rrëzimit të avionit ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Franciszek Gagor, dhe krerët e forcave të armatosura, marinës dhe forcave ajrore.

Trupat ruse bënë roje në vendin e ngjarjes. Është gjetur regjistruesi i të dhënave të aeroplanit dhe do të hetohet për të gjetur ndonjë të dhënë që mund të hedhë dritë mbi shkakun e rrëzimit të aeroplanit.

Zyrtarët rusë thanë se pilotët e aeroplanit shpërfillën paralajmërimet se ata po fluturonin shumë ulët dhe në kushte të një mjegulle; avioni u përplas me pemët ndërsa po përpiqej të ulej dhe u shkatërrua kur goditi tokën.

Kryeministri polak Donald Tusk u ngushëllua nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, kur vizitoi vendin e përplasjes në Smolensk.

Trupat e 94 viktimave të tjera u dërguan me helikopter në morg në kryeqytetin rus, Moskë.


 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>