BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 17 janar 2011 - 12:08 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
A duhet lejuar mbajtja e simboleve fetare në shkolla?
 
Një grua në Francë
Studentët turq zbuluan në fillim të vitit akademik se ndalimi zyrtar i mbajtjes së shamisë islamike, ishte braktisur në heshtje.

Rregulli, i cili zbatohej me rigorozitet nga disa universitete, duke mos lejuar qindra gra myslimane të devotshme të studionin në to, u braktis pasi qeveria e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan deklaroi se do të mbështeste çdo studente që ishte disiplinuar apo përjashtuar nga shkolla për mbajtjen e shamisë.

Qeveria u përpoq që ta tjetërsonte rregullin zyrtar para tre vjetëve, por Gjykata Kushtetuese nuk e lejoi një gjë të tillë.

Çështja e mbajtjes apo jo të shamisë islamike të kokës apo objekteve të tjera fetare është bërë fokus debati edhe në vende të tjera si Franca, Britania apo dhe në Shqipëri e Kosovë.

Kohët e fundit ka patur debate në Shqipëri gjatë diskutimeve për projektligjin e arsimit parauniversitar, për të cilin Ministria e Arsimit parashikon qartë që asnjë nxënës nuk duhet të paraqitet në shkollë publike me simbole fetare.

Në Kosovë ndërkohë ka patur protesta lidhur me ndalimin e mbajtjes së shamisë islamike në arsimin parauniversitar.

Kjo çështje është edhe në qendër të rubrikës Forum të BBC-së në Shqip.

Majlinda Zeqiri bisedon për këtë çështje me të ftuarit: Dr Grida Duma, shefe e departamentit të sociologjisë, Universiteti i Tiranës, Artan Behrami, këshilltar në Ministrinë e Arsimit në Kosovë dhe Abdullah Klinaku nga Partia e Drejtësisë në Kosovë.

Disa komente të dëgjuesve

Enver Halili në Australi na shkruan "Kjo është çështje delikate. Por kjo çështje varet prej vendit se ku diskutohet. Në vendet islamike, kjo çështje mund të rregullohet në bazë të normave apo ligjeve të tyre. Por në vendet Evropiane, me kultura shumë religjioze nxënësit apo studentët nuk duhet të mbajnë shamitë në shkolla apo Universitet. Shamia përfaqëson vetëm një kulturë dhe jo të gjitha kulturat dhe studentët nuk duhen dalluar mes vehti. Ndërsa kur flitet për shqiptarët, kjo çështje besoj se nuk duhet të diskutohet fare, sepse shamia nuk ka të bëjë asgjë me kulturën shqiptare. Shqiptare duhet të sillen (dhe vishen)në bazë të rregullave të kulturës shqiptare dhe jo sipas normave të kulturave të ndryshme- të huaja."

Luani në Londër : "Mendoj se s'ka dyshim se veshja është pjesë themelore e identitetit personal të dikujt. Mundohu t'i heqësh shaminë dhe t'i i heq sigurinë në vetvete dhe besimet personale - qoftë shoqërore apo fetare. Mos të harrojmë që për një pjesë të mirë të shqiptarëve, Islami është feja e tyre dhe shteti e ka njohur me festa zyrtare. Le të kthehemi mbrapsht në regjimin komunist ku s'mbaje dot flokë të gjata apo mjekër..."

Nijaz Ganiu në Gjermani :"Unë nuk mund ta kuptoj se kujt i pengon shamia e një femre në shkollë apo në universitet. Unë jetoj dhe studioj në Gjermanë, dhe këtu në të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe Universitete nuk pengohen nxënësit studentët të vijojnë mësimet e tyre me shami apo pa shami. Kurse, fatkeqësisht në Kosovë dhe në Shqipëri është ndaluar."

Amiri nga Prishtina:"Mendoj se ndalimi i shamisë është i padrejtë ashtu siç është e padrejtë edhe se shamia është simbol fetar apo është uniformë fetare. Shamia nuk është simbol fetar por është obligim për femrat myslimane moshërritura. Dhe nuk është uniformë fetare pasi në islam termi uniformë fetare nuk ekziston. Mendoj se qeveria në Kosovë me pa të drejtë e ka ndaluar shaminë."

Ligor Luarasi në SHBA:"Monumenti më i madh i botës është statuja e lirisë. Natyrisht nuk do lejojmë liri për të vjedhur, vrarë, ose ofenduar, por për një kryq ose shami koke nëpër shkolla, s'ka pse të tregojmë dhunë. Ato tregojnë diçka për njeriun, pse t'i pengojmë, çfarë dëmtojnë? Mësuesi nuk vlerëson nxënësin nga kryqi o shamia, por nga saktësia e diturive që ka studiuar. Kryqi ose shamia janë një objekt që admirohet ose jo, përmes themeleve të lirisë dhe jo në rrugë të tjera, dhunë, ndëshkim,apo diçka tjetër. "

Trimi nga Frankfurti: "Unë mendoj se ndalesa e shamisë në shkolla është e padrejtë. Populli ynë shqiptarë e kosovarë duhet me marr mësim nga vendet perëndimore që me ja leju vajzave shamitë nëpër shkolla, siç janë psh. Anglia, Gjermania Suedia, Amerika e krejt vendet ku respektohet respektimi i fesë, e jo me marrë mësim prej vendeve jodemokratike e komuniste si Kina, Rusia, Korea e veriut, Venezuela e plot vende tjera ku nuk guxon me u përmend shamia."

Ramiz Hoxha nga Drenasi në Kosovë: "Mendoj përderisa shamia është njeri nga obligimet fetare, atëhere do të ishte cënim i të drejtave fetare nëse ndalohet ajo. Dhe patjetër, vendet demokratike do të binin nga provimi për ndërhyrjen e tyre në çështjet e një feje për të kushtëzuar ndërrimin e atij parimi vetëm pse dikujt që ka një besim tjetër nuk i pëlqen. Demokracia është pranimi i tjetrit me formën e vet të besimit, kulturës etj. Ndërsa ne shqiptarët, shaminë e kemi pjesë të identitetit tonë të kamotshëm kombëtar."

Albani nga Brukseli: "Absolutisht çështja e veshjes është krejtësisht personale, ashtu si është edhe besimi fetar. Shhtetet demokratike nuk duhet të përzihen në këtë çështje. Ja shembulli më i mirë është SHBA, ku gjinden lloj-lloj besimesh fetare e veshjesh. Edhe mos të harrojmë që SHBA është vendi nr.1 në botë për luftimin e terrorizmit, edhe që shumë myslimane brenda dhe jashtë vendit mund të ndjejnë antipati për shkak të kësaj sjelljeje, mirëpo për lirine fetare që gëzon në SHBA, nuk mund ta gëzosh në asnjë vend tjetër në botë. Megjithatë si duket periudha e tranzicionit komunizëm- demokraci ende nuk ka përfunduar dhe ka shumë punë për tu bërë."

Jashar Mustafa nga Finlanda: "Nuk mund ta besoj se kjo çështje bisedohet! Si është e mundur që ta diskutojmë se a ka të drejtë të vishet një mbulesë apo jo!?! psh: unë nëse vi në shtëpinë tënde dhe të them se vajza jote nuk ka drejtë ta veshë atë dhe këtë!!! "

Omer Ahmeti nga Maqedonia:"Duhet të mbahet shamia domosdo për shkak se është obligim hyjnor për të gjithë e jo vetëm simbol siç dëshirojnë të tjerët ta paraqesin para publikut. Pro shamisë me gjithë zemër dhe forcë."

Shkelzen Hoxha: "Shamija nuk është një simbol siç tentohet të paraqitet, është një obligim fetar siç është obligim edhe studimi. Andaj me këto udhëzime administrative po na shkelin të drejtat tona elementare. Vërtet absurde."

Bajram Elezi nga Gjeneva: "Kjo çështje duhet kuptuar mirë se mbulesa për gratë myslimane është obligim fetar e në qoftë se ajo vajzë apo grua do të respektojë atë fe, nuk duhet penguar. Ajo nuk pengon tjetrin në qoftë se mban mbulesë. Nuk mund ta kuptoj unë se ku ekziston problemi. Në qoftë se pengon të tjerët, do isha dakort, po këtu nuk ka tjetër vetëm një lloj racizmi."

Timi nga Prishtina: "Mbajtja e shamisë në shkollat publike pa tjetër se duhet lejuar. Problemi tek administrata shqiptare dhe kosovare ka të bëjë me kuptimin e ndalesës së mbulesës islame në vendet evropiane. Atje është ndaluar të bartet "Burka", mbulesë kjo e cila mbulon edhe fytyrën. Kurse sa i përket mbulesës së rëndomte e cila quhet "Hixhab", në vendet evropiane nuk ka ndalesë. Ana tjetër e keqkuptimit është se dy administratat në fjalë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës e konsiderojnë shaminë simbol fetar, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Në anën tjetër në aspektin e të drejtave të njeriut, kjo është një shkelje elementare e të drejtave të njeriut, ngaqë me këtë ndalesë u mohohet e drejta elementare të gjitha vajzave apo grave për të veshur atë çfarë dhe si dëshirojnë."

Albani: "Para 20 viteve, të gjithë mediat dhe gazetat botërore kanë deklaruar se feja Islame nuk i lejon femrat të shkollohen, e tani kush po e ndalon këtë?!"

Ridvan Vatovci nga Vushtrria: "Mendoj se ndalimi i shamisë është i padrejtë dhe është shkelje e të drejtave dhe lirive të besimit që janë të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare."

Ahmed Hajrushi nga Prishtina: "Mendoj se bartja e shamisë në institucionet arsimore publike duhet të lejohet pasi që shamia në fenë islame nuk është simbol fetar, po është një përmbushje e kushtit të fesë."

Nikoll Syku në Bronx të SHBA-së: "Unë mendoj në shkollat publikë në Shqipëri nuk duhet mbajtur shamia në kokë brenda ambjenteve të shkollës. Kur mbaron mësimi e del nga shkolla mund të bësh si të duash."

Entela në Shkodër: "Në vendet e "emancipuara" perëndimore lejohen çdo ditë të hyjnë në mësim mijëra vajza që mbajnë kapele apo shalle (shami) në kokë thjesht sepse duan "të ndjekin modën". Unë bëj këtë pyetje : Këto vajza i pengon kush të arsimohen? Hixhabi është obligim në fenë Islame. Por po ta lemë këtë aspekt dhe ta konsiderojmë vetëm me hamendje si një veshje të thjeshtë, atëherë përse kjo veshje duhet të pengojë arsimimin e mijëra vajzave myslimane. Veshja është një e drejtë individuale, dhe një vajzë e mbuluar nuk është imorale me veshjen e saj. Ajo nuk fyen dhe nuk pengon njeri me atë që vesh."

Lulzim Plloci në Tiranë: "Mendoj se mbajtja e shamisë në shkolla nuk përbën shkelje të laicitetit të vetë shtetit, por e kundërta shkel të drejten e qytetares dhe taksa pagueses shqiptare për të praktikuar e lirë bindjen e saj fetare. Prandaj mendoj se projekt ligji në fjalë duhet të marrë një zgjidhje në dhënien e kësaj të drejte dhe jo në mohimin e saj qoftë nxënëseve myslimane që mbajnë shami sa janë në shkolla, por edhe kur ndonjëra prej tyre të jetë edhe një mësuese apo pedagoge e mirë dhe profesioniste ."

Isuf Sopaj në Mastriht, Holandë: Shamia është mbulesë koke që i takon shekujve të kaluar. Unë jam kundër shamisë nëpër shkolla, fakultete, universitete etj. Ne botën demokratike feja apo më mirë të them besimi fetar është i ndarë nga shteti, shamia duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë. Boll me me tradita te huaja."

Besart Gashi në Prishtinë: "Po duhet lejuar femrat me shamia ne shkolla, nëse pretendojmë të jemi një shtet demokratik. Ja një thënie e Platonit: Sipas "Platonit" shteti i drejtë është ai në të cilin do të kënaqen interesat e të gjithëve, e jo vetëm të një pjese të shoqërisë."

Meleq Zerani: "Nxënësit dhe studentët nëpër shkolla dhe institucione nuk duhet të mbajnë simbole fetare. Në shtetet evropiane dhe në Ballkan kjo duhet të jetë e ndaluar. Në Shqipëri Ahmet Zogu ndaloi mbajtjen e shamisë në shkolla dhe jo më sot."

Bahri Mehmeti në Mitrovicë: "Mendoj se ndalimi i shamisë në institucionet arsimore është i padrejtë kur bëjmë fjalë për vendin tonë ku shumica e popullsisë i përket besimit Islam, mbulesa nuk është uniformë shkollore e as nuk është ndonjë simbol i kulturave të "huaja", por mbulesa në Islam është obligim, është moral."

Gresa Viti në Kosovë: "Jo, nuk duhet lejuar! Institucionet e shtetit duhet të jenë të ndara nga ato fetare, nëse ndodh e kundërta mund të përfundojmë si Afganistani apo ndonjë vend i ngjashëm me të. Sot kërkojnë shamija, nesër kërkojnë sharia."

Napolon Braho në Detroit: "Kufiri i lirisë time është deri sa cënon lirinë e tjetrit"- Kjo është formula universale e lirisë që mbrohet e trumbetohet nga të gjitha vendet demokratike. Për mbajten e shamive në shkolla, personalisht jam i mendimit se nuk duhet mbajtur, por askush nuk na jep të drejtë që ta ndalojmë mbajtjen e saj. Kush e ndalon një femër të mbajë pantallona, të veshë këpucë, apo sandale... Këto janë zgjidhje personale të secilit. Vetëm në vendet diktatoriale bëhen kufizime lirish. "

 
 
Emri
Mbiemri*
Qyteti
Vendi
Email
Telefoni*
* Sipas dëshirës
Opinioni i juaj
 
  
BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>