http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 29 nëntor 2010 - 13:01 CET

Zigzag: Luan Starova, shkrimtar

Autori i shumë veprave letrare e eseistike, Luan Starova, është një ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Libri “Koha e dhive” i botuar në mbi 15 gjuhë, është nominuar për roman të vitit në Francë.

Në Paris, Luan Starova është nderuar edhe me çmimin e "Kalorësit", mirënjohje kjo më e lartë që jepet për veprimtari letrare e artistike.

Në Shtetet e Bashkuara do të botohen së shpejti në anglisht 'Librat e Babait' dhe 'Koha e Dhive'.

Cikli i romaneve 'Saga ballkanike' nga kritika letrare është vlerësuar si ndër romanet më të mirë në Europën e sotme. Vepra më e fundit, 'Rruga e ngjalave', si pjesë e këtij projekti prej pesë romanesh, është mirëpritur nga kritika fraceze:

'Luan Starova është mes autorëve të urtë ballkanas, të cilët e ndjejnë dhe e transformojnë dhembjen shekullore të Ballkanit, duke e shndërruar në akt poetik. Romanet e "Sagës ballkanike" krijohen si metafora të mëdha të koncentruara përreth figurës qendrore të Babait, "rojës" së bibliotekës familjare, duke u mishëruar njëkohësisht në memorie, përvojë dhe histori. "Rruga e ngjalave" nuk është as fillim, as pelegrinazh, as emigrim, por pushtim i mundimshëm i një jete,' - thotë esteti francez Pierre-Robert Leclercq.

Luan Starova është anëtar i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, si dhe autor i disa studimeve dhe veprave të përkthyera nga maqedonishtja e gjuhë të tjera.

Dëgjoni programin Zigzag me zotin Luan Starova

Emisioni drejtohet nga Seladin Xhezairi.