http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 14 qershor 2010 - 16:37 CET

A është futbolli sport popullor edhe për gratë?

Botërori në Afrikën e Jugut ka hyrë në javën e tij të parë edhe ai po përcillet me entuziasëm e emocione në të gjithë botën.

Rajoni ynë nuk bën përjashtim.

Meqënëse Shqipëria ende nuk e ka të realizuar ëndërrën për t'u kualifikuar për një kompeticion të tillë, shqiptarët kanë kohë që kanë adoptuar ekipe të huaja.

Të jesh tifoz me të huajt nuk është gjë e pazakontë. Në dekadën e fundit ky pasion është gërshetuar fort edhe bastet që kur ato janë legalizuar edhe janë shtuar në numër.

Dëgjoni rubrikën Forum

Që prej Botërorit të parë që mbaj mend si fëmijë, tifozët e ekipit gjerman dhe italian gjithmonë kanë dominuar rrethin tim shoqëror, por edhe të prindërve.

Më të paktë kanë qënë tifozët e Holandës e Brazilit, edhe më të paktë ata të Anglisë, Portugalisë dhe Spanjës.

Ndër tifozët më të apasionuar që kam njohur, shumë kanë qënë femra.

Në adoleshencën dhe rininë time të hershme, vajzat e kompensonin pamundësinë për të luajtur futboll me entuziasmin dhe euforinë gjatë përcjelljes së ndeshjeve.

Në programin Forum të rradhës me mua Irena Luton do të flasim për marrëdhëniet që kanë femrat shqiptare me futbollin.

Pjesëmarrëse në këtë debat janë Enkelejda Koraqi, Enejda Xhelili, Kimete Klenja dhe Eni Doda.

Megjithëse futbolli femëror nuk është aq i popullarizuar sa ai i meshkujve, përsëri ai ndiqet me shumë interes nga vajzat edhe gratë.

Çfarë e bën futbollin një sport kaq popullor edhe në mesin e grave dhe vajzave?

Ju mund të bëheni pjesëmarrës në Forum duke kontribuar me komentetet tuaja.

Na tregoni nëse ju pëlqen futbolli, pse edhe si e përcillni atë?

Na shkruani përmes formularit në të djathtë të faqes.