http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 11 dhjetor 2009 - 13:48 CET

Mark Dummet
BBC - Bangladesh

Skemë për tregëtimin e karbonit

Në samitin e Kopenhagës marrin pjesë mijëra vetë, udhëheqës botërorë, përfaqësues qeverish, shkencëtarë dhe ambjentalistë.

Teksa ata po diskutojnë për mundësinë e uljes së nivelit të emetimit të gazrave që shkaktojnë ngrohjen globale, ata vetë janë përgjegjës për emetimin e gazrave nga avionët me të cilët ata kanë udhëtuar drejt Danimarkës.

Qeveria daneze ka në objektiv që samiti i Kopenhagës të mos ketë një faturë negative karboni, prandaj ka vendosur që ta kompensojë sasinë e karbonit të përdorur për samitin e Kopenhagës me uljen e emetimit të karbonit në pjesë të tjera të botës.

Në kuadrin e kësaj nisme ajo po financon një projekt që synon të ulë nivelin e ndotjes nga emetimi i dioksidit të karbonit në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka.

Disa studime tregojnë se Daka është qyteti më i ndotur në të gjithë planetin.

Pasojat e ndotjes mbi banorët e kryeqytetit të Bangladeshit janë shumë të rënda, sidomos në këtë periudhë të vitit kur temeperaturat e ulta dhe mjegulla ndikojnë në rujajtjen në atmosferë të gazrave dhe tymit që lëshojnë automjetet.

Mjekët thonë se numri i pacientëve që vuajnë nga sëmundje të mushkërive trefishohet gjatë kësaj periudhe.

Ndotja e Dakës ka dy shkaqe kryesore - trafikun e rënduar dhe mijëra punishtet tradicionale të prodhimit të tullave, që kanë formuar një unazë përreth kryeqytetit.

Oxhaqet e larta nxjerrin papushim një tym gri, aq i trashë saqë edhe rrezet e diellit e kanë të vështirë të depërtojnë.

Bangladeshi po përjeton një bum ndërtimesh. Sipas disa llogaritjeve, vitin e kaluar këto punishte prodhuan një trilion tulla, çka do të thotë se ato kanë lëshuar një sasi të madhe tymi në atmosferë.

Ratan Babul, përgjegjës turni në një nga këto punishte, thotë se një pjesë e proceseve janë mekanizuar dhe se oxhaqet tani janë më të larta se në të kaluarën.

"Unë nuk mendoj se tymi po e ndot ambjentin përreth sepse oxhaqet janë mbi 40 metra të lartë, prandaj tymi shkon shumë lart, aq sa nuk mund të shihet dhe nuk e ndot ambjentin tonë këtu", thotë Ratan Babul.

Por, sigurisht, që kjo sasi tymi që del nga oxhaqet e fabrikave të tullave në Bangladesh shkakton ndotje gjektë.

Kjo është arsyeja që Agjensia e Energjisë në Danimarkë ka ofruar fonde për një program me një vlerë afro një milion dollarë që, sipas saj, është vlera e dioksidit të karbonit që do të emetohet gjatë udhëtimit të pjesëmarrësve në samitin e Kopenhagës.

Kjo skemë e tregëtimit të karbonit po zbatohet nga Banka Botërore në bashkëpunim me një bankë lokale.

"Një furrë normale që përdoret këtu për pjekjen e tullave djeg, le të themi 100 tonë qymyr. E njëjta furrë, nëse përdor teknologjinë hibride Hoffman, që është fjala e fundit, do të djegë vetëm gjysmën e kësaj sasie qymyri për të njëjtën sasi tullash", thotë përfaqësuesi i bankës, Syed Tanvir Hussein.

Gjithësej, do të ndërtohen 20 furra të reja, duke përdorur makineri të importuara nga Kina.

Njëra prej fabrikave të reja ka filluar nga puna.

Këto janë fabrika shumë më të sofistikuara se punishtet ekziestuese.

Thelbësore në teknologjinë e re është se pluhuri që del nga qymyri përzihet bashkë me argjilën që përdoret për të prodhuar tullat.

Kur argjila piqet në furrë, karboni mbetet në masën e tullës dhe nuk del në formën e tymit, siç ndodh me punishtet e vjetra.

Nocioni i tregëtimit të karbonit ka kritikët e tij dhe është një ndër çëshjet që po debatohet në Kopenhagë.

Por qeveria daneze thotë se projekti me furrat e tullave në Bangladesh është një shembull i mirë se çfarë mund të arrihet nga përdorimi i kësaj skeme.

Ajo thotë se kjo skemë do të ulë jo vetëm nivelin e emetimit të karbonit, por edhe ndotjen e ajrit, duke e përmirësuar menjëherë jetën e njerëzve.