http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 05 dhjetor 2008 - 16:36 CET

Zigzag: Kryeparlamentarja Topalli flet në BBC

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli ka kritikuar presidentin Bamir Topi për kthimin në parlament për rishqyrtim të kodit zgjedhor që u miratua disa javë më parë me një shumicë votash nga parti të qeverisëse dhe të opozitës.

Zonja Topalli tha për emisionin Zigzag të BBC-së se kodi zgjedhor është miratuar nga një shumicë e gjerë parlamentare, përfshirë Partinë Demokratike në pushtet dhe Partinë Socialiste në opozitë.

Zigzag: Seladin Xhezairi bisedon me kryeparlamentaren Topalli.

"Presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të parlamentit ose 80 për qind të vullnetit të shqiptarëve dhe është bashkuar me atë që përfaqëson LSI dhe Partia Demokristiane," tha zonja Topalli duke iu referuar dy partive të vogla parlamentare, deputetë të të cilave zhvilluan një grevë disaditore urie në kundërshtim të kodit zgjedhor.

"Në fakt nuk është hera e parë," tha zonja Topalli. "Sa herë ka patur konsensuse të mëdha, një qëndrim i tillë i përsëritur ka qenë i presidentit."