BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 10 nëntor 2006 - 18:47 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Vlora - qytet industrial apo turistik?
 
Pamje nga qyteti i Vlorës
Pamje nga qyteti i Vlorës

Edmond Fetahu: Pyetja ime konsiston në raportin midis Vlorës si zonë turistike dhe Vlorës industriale.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti Edmond Fetahu. Pra ri-del në skenë çështja e dilemës, mund ta quajmë. Si mund të zhvillohet Vlora në drejtim të industrisë apo në drejtim të turizmit? Atëhere çfarë mendimesh kemi? Po ja kaloj fjalën Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, zotit Shpëtim Gjika. Ka dy vjet që debatohet. Çfarë po ndodh?

Shpëtim Gjika: Në fakt ka më shumë sesa dy vjet. Këto dy vjet kjo është intensifikuar kjo si problematikë duke u gërshetuar, për fat të keq, edhe me opsionet e politikës në lidhje me zhvillimin e qytetit të Vlorës ku natyrisht politika nuk mund të rrijë jashtë kësaj problematike.

Unë dua të theksoj faktin që qyteti i Vlorës tashmë është një qytet në zhvillim e sipër, është një qytet që akoma nuk i ka përcaktuar në mënyrë të prerë apo taksative, apo përfundimtare prioritetet e zhvillimit të tij, prioritet i cili kërkon të gërshetojë resurset gjeografike me resurset humane dhe resurse të tjera të cilat do t'i japin qytetit të Vlorës pikërisht impulset e duhura të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Përsa i përket ndarjes me thikë, duhet të jetë qytet turistik qytet që duhet t'i mëshojë, apo do të ketë prirje drejt zhvillimit industrial, unë doja të thosha që një qytet i cili kërkon të afirmohet në zhvillimin e turizmit duke mos e patur traditë atë, nuk ka sesi të ketë zhvillim të qenësishëm pa u mbështetur në një infrastrukturë moderne ku ajo që është më kryesorja, si të thuash palca kurizore e kësaj infrastrutkure është pikërisht infrastruktura energjetike të cilën ne si qytetarë e vuajmë shumë dhe aq më tepër në Vlorë.

Gjithsesi duke qenë që qyteti i Vlorës tashmë, i cili tashmë konsiderohet si një qytet i cili dy tre vite me parë është mbretëresha e turizmit shqiptar, në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, ne, me dashje apo pa dashje kemi pranuar që refleksi jonë apo si të thuash prirja jonë është nga zhvillimi i turizmit.

Në qytetin e Vlorës, dhe më gjerë sesa qyteti i Vlorës, këto dy vitet e fundit ka patur një reagim, nuk po e quaj të ashpër, por shumë të drejtë në lidhje me pjesën tjetër të zhvillimit të qytetit, pjesa e zhvillimit industrial, ku për fat të mirë, ka dhe një shoqatë e cila është e angazhuar totalisht me kapacitetet njerëzore dhe intelektuale në shërbim dhe mbrojtje të qytetit të Vlorës të cilën unë e përshëndes dhe e vlerësoj.

Gjithsesi ajo që do të shtroja unë si Kryetar i Bashkisë i qytetit të Vlorës, që jam mandatuar nga vota e popullit, është pikërisht për të gjetur më të mirën e mundshme për zhvillimin e qytetit të Vlorës.

Pra unë kam qenë serioz, korrekt dhe më është dashur që gjatë gjithë kësaj periudhe të grumbulloj dhe të vlerësoj të gjitha impaktet që ka qoftë njeri prioritet qoftë prioriteti tjetër. Në këto kushte unë i mëshoj idesë që politika ngatërrohet keq.

Nëse para dy vitesh, pa ngjallë debat, maxhoranca e sotme e kërkonte që të mos zhvillohej TEC-i apo të ndërtohej TEC-i sot, për fat të mirë apo të keq, thotë që duhet zhvilluar TEC-i. Prandaj larg politikës janë qytetarët e Vlorës ata që duhet të shprehen sipas formës kushtetuese, me referendum, për zhvillimin e prioriteteve të qytetit tonë.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti Gjika, Kryetar i Bashkisë. Dhe dashur pa dashur hymë në politikë. Të dëgjojmë atëhere se çfarë mendojnë qytetarët vlonjatë ose ai grup që është ngritur për mbrojtjen e qytetit të Vlorës, për mbrojtjen e natyrës së qytetit të Vlorës.

Mund të shohim së bashku një prononcim të zotit Sazan Guri, një prej njerëzve më aktivë të lëvizjes kundër ndërtimit të parkut energjetik të qytetit të Vlorës, ashtu siç mund të dëgjojmë edhe kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha.

Sazan Guri: Ndërtimi i TEC-it do të ndikonte sepse është afër. Nuk është më afër sipas atyre hartave të 75-s ku Vlora qëllon që të jetë 6 kilometra larg, por ai është rreth 500-600, pra parku energjetik ështër rreth 300 metra larg nga qyteti i Vlorës prej 120 mijë banorësh.

Aleksandër Furxhi: Dëgjuam zotin Sazan Guri, një nga njerëzit më aktivë kundër ngritjes së parkut energjetik. Ju ftojmë të dëgjojnë edhe për një moment edhe kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha, në lidhje me mundësitë e zhvillimit edhe në drejtim të industrisë në qytetin e Vlorës.

Sali Berisha: Jemi në tratativa me një kompani ndër më seriozet në botë për ndërtimin e parqeve industriale. Unë ju siguroj zoti kryetar se një nga qytetet që do ta adresojë atë do të jetë dhe Vlora.

Aleksandër Furxhi: Pra këto ishin dy prononcimet. Është qëndrimi i qeverisë që, mesa duket, është duke negociuar me investitorë të huaj për mundësinë e ndërtimit e parkut energjetik në Vlorë si dhe lëvizja qytetare që është kundër këtij zhvillimi. E kaloj fjalën tek zoti Bamir Topi.

Çfarë mendon Partia Demokratike përballë këtij opinioni kaq të ndjeshëm në Vlorë?

Bamir Topi
Bamir Topi, nën-kryetar i partisë demokratike
Bamir Topi: Së pari më lejoni të shpreh disa ndjesi që janë personale. Natyrisht Vlora nuk është pronë e politikës edhe e partive. Është pronë e banorëve të saj, e shoqërisë shqiptare. Dhe ndjesia e parë që kam kur vij në Vlorë, kam ndjesinë që vij tek një qytet i traditës qytetare, të një qyteti i cili ofron shance shumë të mëdha për relaks dhe për zhvillimin e turizmit.

Kështu që nga kjo pikëpamje nuk ka dyshim që Vlora sot në vitin 2006, edhe për perspektivën, ketë e them tani jo thjesht në këndvësthrim personal, por edhe është një opinion më i gjerë, mesa duket do të jetë fokusi dhe dominanti i turizmit të së ardhmes.

Kemi dy shembuj mjaft negativë, kemi një betonizim të plazhit të Durrësit, i cili kursesi nuk të jep ndjesinë e një vendi pushimi por një vend tejësisht i urbanizuar. Kemi një shembull për fat të keq, mjaft negativ, sikurse është betonimi i Sarandës.

Nga kjo pikëpamje, përveç vlerave të mëdha, që nuk duhet parë thjesht e lidhur me detin. Unë turizmin dhe bashkëjetesën do ta shikoja edhe me zonat që janë në thellësi, me zonat rurale, do ta shikoja edhe me pasurinë arkeologjike, do ta shikoja në një ekuilibër të plotë do të thoja.

Që do të bëhet turizëm, do të ketë një zhvillim të qytetit, një urbanizim të tij, natyrisht edhe me një lloj infrastrukture që ka të bëjë edhe me bazën energjetike. Nga kjo pikëpajme unë mendoj që edhe në botë ka eksperienca mjaft të vyera.

Unë ju siguroj që kam edhe një kulturë ekologjiste, sepse jame marrë vazhdimisht me mjedisin. Do të thoja gjëja më e mirë është për të gjetur ekuilibrin. Pra nuk mund të ketë specifikime do merremi vetëm me turizëm sepse Vlora ka një traditë të hershme qytetare, do të zhvillojë edhe aktivitetet e tjera.

Pra nuk mund të jetë një qytet thjesht në zhvillim të turizmit, por duhet të jetë një qytet integral në të gjitha ato premisa që ka Vlora për tu kthyer në një qytet dominant të Shqipërisë të së ardhmes.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti Bamir. A ka mendime nga salla për dilemën turizem apo industri. Neqoftëse jo, e kaloj fjalën tek qytetari i Vlorës zoti Mexhit Haxhiu, çfarë mendim keni?

Mexhit Haxhiu: Së pari dëshiroj të kujtoj edhe një herë që lidhur me temën që trajtohet kam qënë edhe unë i angazhuar në atë përbërjen e atyre njerëzve të cilët kanë marrë pjesë aktive në kundërshtimin e asaj që parku energjetik të mos ndërtohet në qytetin tonë.

Dhe do ta nisja bisedën kështu që pyetja mund të formulohesh ndryshe. Industri turistike, që është një industri në vetvete dhe një industri e shumëllojshme në tërë variantet e saj. Përgjithësisht këtë periudhë që ka përfshirë rreth 5-6 vjet së bashkë me qytetarët e mi kemi qënë të shqetësuar për një gjë.

Ka munguar transparenca e njerëzve në pushtet në tërësi për të informuar qytetarët mbi impaktin negativ të ngritjes të këtij parku energjetik në një zonë me shumë rëndësi dhe me vlera jo vetëm për qytetin tonë por për gjithë Shqipërinë.

Aleksandër Furxhi: Pse ka munguar transparenca, çfarë do me thënë? Çfarë nuk është thënë, çfarë nuk është treguar?

Pamje nga salla
Pamje nga salla
Mexhit Haxhiu: Mendoj nuk është thënë e vërteta që në fillim. Nuk janë sqaruar gjerat teknikisht, por është njoftuar që në fillim që mund të ndërtohet një TEC me një fuqi përafërsisht 135 apo diçka e tillë megavat dhe më vonë na doli që së bashku me kungujt e tjerë përreth kjo kalonte në 15 njesi të tjera përafërsisht.

Të më korigjojë ndonjeri nëse gabohem dhe volumi mori përmasa të tilla me pasoja do të thoja fatale për qytetin tonë. Ndonjeri do të thotë që po e dramatizoni shumë.

Unë veçanërisht atyre që ndjekin sot shkollën, dhe fatmirësisht këtu janë nxënës të gjimnazeve dhe i përshëndes se kam qënë edhe unë nxënës i shkollës Ali Demi.

Ndjeva një emocion kur u përmend dhe u fol për ato vajza meqë i kanë të freskëta njohuritë e tyre e dinë impaktin e rezikshëm të hidrokarbureve.

Aleksandër Furxhi: Të degjojmë se çfarë mendon aktualisht qeveria sesa mund të ndotet qyteti nga ai projekt i cili është më i fundit që po diskutohet.

Kemi një moment që mund të dëgjojmë zotin Gjergj Bojaxhi, që është zëvendësministër i ekonomisë që flet për parkun energjetik në Vlorë.

Gjergj Bojaxhi: Tymi i cili do të dalë nga ky TEC do të nxjerrë karbon i cili është i barabartë me karbonin që nxjerrin 600 makina të reja, p.sh. 600 Benca të rinj.

Duke patur parasysh gjeneratorët e shumtë që ekzistojnë në Vlorë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Mendoj që një prodhim energjie që prodhon me atë kapacitet që do të nxjerrin tymin e vetëm 600 makinave të reja që punojnë me naftë, është diçka që duhet të jetë e pranueshme si për komunitetin edhe turizmin e Vlorës ashtu dhe për Shqipërinë.

Vlora dhe pjesa jugore e Shqipërisë në mënyrë të veçantë, por edhe e gjithë Shqipëria në përgjithësi, do të përfitojë rreth 920 milion kilovat orë në vit.

Aleksandër Furxhi: Atëhere çfarë mendoni në sallë. Ju tek rreshti i tretë.

Salla: Përsa i përket kësaj çështjeje që trajtohet unë nuk do hyjë shumë në detaje, se çfarë çlirohet dhe çfarë ndotet. Flitet për turizmin, po trajtohet Vlora Vlora. Unë do të doja ta shtrija më gjerë.

Me ka takuar të punoj me një grup britanik ose të vij në Britani dhe në momentin e parë që ata zbrisin në aeroport shërbimi nuk ishte cilësor. Turizmi nuk fillon në Vlorë. Turizmi fillon sapo zbret turisti nga avioni. Turizmi nuk duhet parë vetëm në një plan të ngushtë. Sepse nuk mendohet që turistit ti sigurohet vetëm një hotel.

Ai dëshiron të ketë të gjithë hapësirat e tij, të punojë me internet, të ketë grupe animatore, të ketë shëtitje në qytet, të ketë grupe që e shoqërojnë.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit për ndërhyrjen tuaj. Tjetër nga salla. Urdhëroni!

Salla: Përshëndejtje për emisionin. Unë si profesion jam inxhinier dhe të flas hapur jam për zhvillimin e industrisë jo vetëm në qytetin e Vlorës, po industria për mua është jetë.

Pa industri në qytet nuk ka të ardhme për arsye se nëqoftëse do të marrim thjesht ne do të shtrihemi thjesht në kanalin e industrisë turistike, do të them që ne qytetarët e Vlorës do të punësohemi dy-tre muaj, qoftë edhe katër muaj. Po më pas? Njëkohësisht kam dhe diçka tjetër.

Meqënëse qyteti, ju e thatë që kur hyn në Vlorë shikon një bum të madh ndërtimesh. Qyteti i vlorës ndoshta do të arrijë një shifër 300 400 mijë banorë. Ku do të punojnë këta njerëz në të ardhmen? A munden që këto hotele, a mundet që ky turizëm, a mundet që ky det që lag Vlorën të bëjë të mundur që të gjithë këta studentë që do të dalin nga këto auditore, të punësohen.

Ku do të punojnë të gjithë, në hotele? Është e pamundur të punojnë të gjithë në këtë sferë. Unë jam partizan i industrisë se pa industri nuk ka jetë.

Qyteti do të ndotet. Ne nuk do të jemi njerëz që do të jetojmë në inkubatorë. Atje ku ka ndotje do të ketë edhe zhvillim.

Rudina Xhunga
Rudina Xhunga, drejtuese e emisionit Shqip, në Top Chanel
Aleksandër Furxhi: Por nga vlonjatët grupi që është kundër idesë të zhvillimit të turizmit në Vlorë edhe e ka radikalizuar protestën, deri edhe në Tiranë. Ju të gjithë keni parë që ata kanë protestuar para godinave qeveritare. Le të dëgjojmë njerin prej tyre, i lidhur me pranga në Tiranë. Le ta dëgjojmë.

Protestues: Ne kemi ardhur këtu të protestojmë dhe ti bëjmë të ditur qeverisë se shkelja e kushtetutës dhe vënia e qytetarëve të Vlorës para zgjedhjeve të papranueshme, siç është projekti Ambo në Vlorë, në gjirin e Vlorës si dhe çdo industri tjetër me bazë naftën, është e papranueshme për qytetarët e Vlorës dhe kjo do të çojë detyrimisht në konflikt të hapur me qytetarët e Vlorës.

Aleksandër Furxhi: Ishte një djalë nga Vlora duke protestuar në Tiranë. Rudina Xhunga, çfarë mendoni?

Rudina Xhunga: Kam drejtuar disa debate, ku për profesionalizëm me duhet të jem e paanshme. Por në këtë debat më duhet të jap mendimin të cilin nuk e kam edhe shumë të vendosur. Me zemër unë kam lindur në Vlorë.

Unë e dua Vlorën, sa vjen dhe e dua edhe më shumë dhe thellë thellë unë dua që ai të mos ndryshojë. Dua të gjej gjurmë të fëmijërisë, gjurmë të detit siç ka qënë, të gjej shtëpinë ku kam lindur, të gjej atë që tani i thonë bashki, dikur ishte komiteti ekzekutiv. E kështu gjurmët e një qyteti të ngelur dhe të dashur.

Por nuk e di se kur të vij vite më pas me fëmijën tim, do të krenohesha duke i thënë, ky është qyteti ku unë kam lindur, ky është qyteti ku unë jam rritur dhe nuk ka ndryshuar fare.

Kam përshtypjen që do të më shikonte me shumë habi dhe nuk do të më përshëndeste po ti thosha se unë kam kontribuar që ky qytet të mos ndryshojë. Kështu që them se, përveçse të dëgjosh zemrën, në gjera të tilla të rëndësishme ku me zemër vendoset, e mira është të dëgjosh edhe arsyen.

Ndonjëherë është arsyeja që nuk gënjen. Dhe arsya flet në emër së çfarë duan fëmijet tuaj, që tani jeni fëmijë dhe nipërit tuaj që tani jeni baballarë.

Aleksandër Furxhi: Të dëgjojmë se çfarë thotë zonja Arta Dade. Nuk është nga Vlora por gjithsesi është pjestare e klasës politike dhe ka pasur ose do të ketë mundësi në të ardhmen që të vendosë për diçka edhe për Vlorën.

Arta Dade: Megjithëse nuk jam nga Vlora, edhe unë e dua Vlorën shumë. Kam kënaqësinë që nuk ka vit pa kaluar pushimet në Vlorë apo pak më tutje në Himarë edhe në të gjithë bregdetin.

Kështu që është një problem që na shqetëson të gjithëve. Pavarësisht se ku jemi, jemi në parlament, apo jemi qytetarë të Vlorës, apo vijmë e vizitojmë Vlorën shpesh.

Personalisht do të mendoja që duhet të ketë një ruajtje të ekuilibreve midis zhvillimit të industrisë, të turizmit dhe mjedisit. Padyshim të gjithë jemi të interesuar që mjedisi të ruhet. Më vjen mirë që përfaqësoj një forcë politike që ka qenë konstante në të gjitha alternativat që ka dhënë.

Nisur nga debatet që ka filluar dhe një pjesë e komunitetit të Vlorës, unë personalisht mora një takim me përfaqësuesin e Bankës Botërore i cili më ka garantuar atëhere që projektet që miraton Banka Botërore apo organizma të tjerë mjaft prestigjiozë për zhvillimet ekonomike dhe në fushën sociale pa dyshim që marrin në konsideratë në rradhë të parë ruajtjen e mjedisit.

Dihet që Banka Botërore ka mjaft projekte në ruajte të mjedisit. Dhe ruajtja e mjedisit edhe në ndërtimin e parkut energjetik në Vlorë është mbajtur shumë mirë parasysh dhe unë mendoj që edhe ai grupim që është kundër ndërtimit të parkut energjetik ka një mundgesë të theksuar informacioni.

Komuniteti duhet të informohet për çdo projekt që do të zbatohet. Lidhur me turizmin kulturor që u përmend këtu, personalisht kam vërejtje. Vlora dhe zona përreth kanë një trashëgimi kulturore shumë të vyer dhe do të ishte shumë mirë që të bëhej më shumë për ta ruajtur këtë turizëm.

Përfitoj nga rasti që të kujtoj që Vlora ka edhe ministrin e kulturës si deputet dhe do të kisha dëshirë që ai për qytetin e vet të lindjes të kishte më shumë projekte në drejtim të zhvillimit të turizmit kulturor.

Ne politikanët shpesh herë matemi nga ato që bëjmë dhe jo nga to që themi nga ta që na votojnë dhe kam konstatuar që këtë vit nuk ka pasur mbajtje të premtimeve siç kanë qënë 24 orë ujë, 24 orë drita.

Pra ku do ti gjejme këto pjesë shumë të rëndësihme të infrastrukturës. Sikurse tha ai djali, se turistët vërtetë vijnë në Vlorë, mahniten me bukuritë natyrore. Por praktikisht duhet të ketë edhe infrastrukturën që e bëjnë një qytet me të vërtetë turistitik. Vlora, për fat të keq, është mjaft larg. Mendoj që në tetë vjet u bënë shumë, u transformua.

Ne të gjithë kemi qënë këtu edhe në 97-tën. Kështu që duhet të vazhdojmë angazhimet serioze për ti dhënë këtij komuniteti realisht atë që meriton.

Aleksandër Furxhi: Ju përmendët ministrin e kulturës që është nga Vlora. Ai nuk është sot këtu kështu që më duhet të them, mund të bëj zoti Bamir koment. Megjithatë mesa kam dëgjuar në qytetin e Vlorës ai është i pranishëm dhe mundohet të ndihmojë, nga posti që zotëron sot, të jetë pranë tij. Urdhëroni zoti Bamir.

Bamir Topi: Unë ju siguroj për atë që juve sapo thatë që zoti Leskaj jo vetëm që është deputet i Vlorës por edhe shpirtërisht është i lidhur me Vlorën.

Pra do të ishte një paradoks i vërtetë që një qytetar tradicional i Vlorës, deputet i Vlorës, ministër i turizmit, i cili mori paraszsh edhe prioritetet që ka ky qytet.

Për këtë arsye edhe u emërua ministër nga qeveria e re. Do të thoja që ka bërë një promocion të jashtëzakonshëm në qeveri, në parlament e unë do të thoja investimet që kanë filluar me ujësjellësin, qoftë me infrastrukturën rrugore, e cila shumë shpejt, në 14 dhjetor të këtij viti, pra rreth një muaj e gjysmë më vonë bëhet dhe ndërtimi i rrugës Vlorë-Levan.

Pra janë futur fonde të rëndësishme për ujësjellësin. Një pjesë e ujësjellësist, rreth 15 milion euro vijnë për qytetin e Vlorës, një pjesë tjetër për në zonën e Orikumit.

Pra do të them që kanë filluar projekte konkrete. Unë nuk mund të them që një projekt mund të lançohet në momentin që e paraqet për publikun, por besoj që ka kohën e vet e besoj që jemi tamam në fazën e implimentimit të projektit që janë pjesë e premtimeve që ka bërë Partia Demokratike.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti Bamir. Ka reagime nga salla

Salla: Unë e shoh më gjerë. Vetëm me dy fjalë dua të them. Këtu influencon politika sepse sensibilizohet populli i një qyteti për një problem kur nuk janë të aftë. Unë jam mjek dhe nuk jam i aftë të vendos që do të bëhet apo nuk do të bëhet.

Këtu ka qeverisje, politikanë, pozitë opozitë, që mund të ulen dhe të marrin vendime dhe nga shoqëria civile. Këtu ka një formalitet i cili është bërë bajat.

Do kërkoja që teknikë, inxhinierë, politikanë të ulen dhe të vendosin për këtë.

Aleksandër Furxhi: Pra ju jeni që teknika, jo politika të vendosin për këto zhvillime.

Salla: Ju bëj thirrje politikës, qeverisë, pozitë, opozitë, të ulen këmbëkryq si burra shteti dhe ti zgjidhin këto probleme dhe të sqarojnë e informojnë popullin.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit. Ka reagime të tjera nga salla.

Salla: Unë isha që bëra pyetjen dhe shumë shkurt doja të thoja. Jam dakort për raportin midis turizmit dhe industrisë, pa përjashtuar asnjerën. Dhe që zoti kryetar përmendi referendumin. Unë nuk jam kundër referendumit.

Por përpara se të zhvillohet një referendum duhet që qytetarët të jenë mirëinformuar për të mirat dhe të këqiat e një veprimi. Prandaj del detyrë e qeverisë, e akademisë së shkencave, sepse kemi harruar që ka një seksion që duhet të sigurojë një strategji serioze për zhvillimin jo vetëm të qytetit të Vlorës por të gjithë Shqipërisë.

Shpëtim Gjika, Kryetar i Bashkisë së Vlorës
Shpëtim Gjika, Kryetar i Bashkisë së Vlorës
Shpëtim Gjika: Do të doja të shprehja jo vetëm mendimin tim, sepse mendimi im nuk ka të bëjë me Shpëtimin jo vetëm si qytetar por Shpëtim Gjikën si kryetar i bashkisë Vlorë. Për të folur dhe për të qënë më konkret unë do të thoja që në vëmëndje edhe të kësaj që tha zoti Fetahu, por në mënyrë të veçantë më ka ndihmuar në ndërhyrjen time inxhinieri që foli pak më parë.

Nëse do të bënim një raport apo një gërshetim të këtyre dy industrive unë di të them që janë vetëm 900 shtretër të cilët vihen në shërbim të pushuesve të huaj apo vendas. Dhe buxheti që vilet nga këto ose të ardhurat që rrjedhin nga ky investim zene vetem 2% të buxhetit lokal.

Pra nëqoftëse do të flasim për transparencë, nëqoftëse do të flasim për logjikë të zhvillimit ekonomik, unë ju garantoj juve të gjithëve, jo vetëm juve që jeni në sallë por të gjithë qytetarëve të vlorës, që me 900 shtretër, me 2% të buxhetit lokal nuk mund të zhvillohet Vlora.

Përsa i përket zhvillimit të industrisë turistike unë do të thosha që më shumë sesa transparencë, unë do të kërkoja sidomos nga politika e të dy krahëve të mos ketë keqinformim sepse duke dashur ta kthejë edhe në formë shakaje unë nuk mendoj se tymi blu i TEC-it që mund të ndërtohet në të ardhmen është më pak i dëmshëm se tymi i kuq që do të nxirrte TEC-i para dy vjetësh.

Dhe për të konkretizuar, dy deputetë të qytetit të Vlorës që përfaqësojnë sot qeverinë demokratike, njeri nga të cilët është edhe ministër dhe unë realisht e vlerësoj për punën që ka dhënë në fushën e turizmit edhe për qytetin e Vlorës, kanë marrë mandat pikërisht edhe duke vlerësuar edhe duke thënë para qytetarëve që ne jemi automatikisht dhe absolutisht kundër ndërtimit të TEC-it.

Prandaj më shumë se transparencë kërkohet që politika të mos përdoret për të keqinformuar qytetarët e Vlorës.

Aleksandër Furxhi: Faleminderit zoti kryetar. Ka reagime nga salla. Do të kemi një pyetje tjetër që do ti interesojë shumë sallës.

Salla: Doja të ndalesha pak te shoqëria civile apo tek shoqata që merret aktualisht. Ata nuk përfaqësojnë Vlorën. Sepse të flasësh për Vlorën duhet të flasësh për të tashmen pastaj për të ardhmen. Sot aktualisht tek aviacioni digjen plehra që helmohen 30 mijë qytetarë. Ata nuk ngrihen për Sodën Kaustike që ekziston akoma dhe si duhet eleminuar soda kaustike.

Ata nuk flasin për plazhin e vjetër që e kanë shkatërruar komplet por ngrihen për të ardhmen kur ne nuk kemi të tashmen. E ardhmja e Vlorës ndërtohet me industri e turizëm, paralel. Nuk mund të ndërtohet me shkatërrim.

 
 
Emri
Mbiemri*
Qyteti
Vendi
Email
Telefoni*
* Sipas dëshirës
Opinioni i juaj
 
  
BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>