http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 16 shkurt 2006 - 14:52 CET

Kërkesa dhe oferta për energji

Në kuadrin e javës së energjisë, BBC-ja ndalet edhe në hendekun mes kërkesës dhe ofertës për energji. Kërkesa për energji është rritur në mënyrë të ndjeshme si rezultat i rritjes ekonomike në disa vende në zhvillim, si Kina apo India.

Kush do ta plotësojë këtë etje energjetike? A do të përballemi me një krizë të vazhdueshme energjetike apo do të gjejmë burime të tjera për ta plotësuar hendekun? Këto pyetje shtron korrespondenti i BBC-së, Stephen Evans.

Ndodhem këtu në qendër të Londrës, e zhurmshme, plot jetë dhe lëvizje, njerëz që lëvizin me makina apo trena, thotë korrespondenti I BBC-së, Steven Evans.

Një qytet ku makineritë nuk pushojnë, me shumë drita dhe me sistemin e ngrohjes aq i nevojshëm për këtë dimër të ftohtë.

Në Londër, ashtu si edhe gjetkë, asgjë nuk funksionon pa energji. Energjia ka qenë një bashkëudhëtar i njerëzimit në të gjitha fazat e tij, edhe kur ajo sigurohej me mjete shumë primitive.

Por, a kemi arritur në atë pikë kur popullsia dhe ekonomia botërore po rriten shumë më shpejt se mundësitë që ka planeti për sigurimin e energjisë.

Epoka e naftës

Kjo mund të quhet epoka e naftës, por sa do të zgjasë ajo? A po shterojnë rezervat e naftës? Çështja nuk shtrohet nëse do të mbërrijmë në pikën e fundit të naftës, por a do të vështirësohet nxjerrja e naftës me një kosto të pranueshme.

Në fund të fundit nafta plotëson 40% të nevojave tona për energji.
Gerard Doucet është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Energjisë, një organizëm që përfaqëson qeveritë, kompanitë dhe shkencëtarët e 90 vendeve.

"Epoka e Gurit nuk përfundoi se njerëzimi mbeti pa gurë. Prandaj edhe epoka e naftës nuk do të mbarojë se ne do të mbetemi pa naftë. Është e vërtetë se nafta është e vështirë për t'u siguruar pasi ajo është jo-konvencionale.

Le të marrin shembullin e hapësirave rënore me naftë në Kanada. Atje ka rërë të përzierë me naftë dhe është shumë e kushtueshme të prodhosh naftë. Prandaj nafta dhe gazi do të jenë edhe më të kushtueshme. Them se çmimet aktuale do të mbeten edhe për shumë kohë" - thotë Gerard Doucet i Këshillit Botëror të Energjisë.

Kërkesa dhe oferta

Nafta dhe gazi plotësojnë 60% të nevojave të njerëzimit për energji. Parashikohet që kërkesa për energji të rritet mbi 50% deri në vitin 2030, kryesisht për shkak të industrializimit të Kinës dhe Indisë dhe shtimit të popullsisë.

A do të ecë edhe energjia me të njëjtat ritme për plotësimin e këtyre kërkesave në rritje. Një nga ekspertët e njohur të energjisë është Dieter Helm, nga Universiteti i Oksfordit.

"Mënyra më e mirë për ta trajtuar çështjen e sigurisë së energjisë, dhe nëse kërkesa përputhet me ofertën, është që mos shohim nëse ka energji të mjaftueshme, sepse sigurisht që ka, por nëse kjo energji sigurohet me një kosto që mund të përballojë jetën e industralizuar sot dhe industrializimin që po ndodh në Kinë, Indi apo Lindjen e Largët.

Nafta dhe politika

Dhe kjo varet kryesisht nga dy faktorë. Në të ardhmen e afërt apo afatmesme kjo varet nga politika, politika e Irakut, Iranit, Arabisë Saudite apo Rusisë, ku janë përqëndruar rezervat konvencionale të naftës dhe gazit. Ndërsa në një perspektivë më afatgjatë kjo varet nga teknologjia" - thotë Dieter Helm nga Universiteti i Oksfordit.

Askush nuk e di se ku do të na çojë teknologjia në fushën e energjisë. Profesori i Gjeologjisë në Universitetin e Oklahomës, David Deming thotë:

"Në vitin 1979 ne kaluam një krizë energjetike. Na thanë se çmimi i naftës do të shkonte 60 dollarë për fuçi, pastaj 100 dollarë dhe se ne po hynim në një krizë energjetikë që do të zgjaste 50 apo 100 vjet.

U duk sikur ne do të hiqnim dorë nga gjithçka dhe do t'iu ktheheshim biçikletave. Por pas shtatë vjetësh, çmimi i naftës ra në 10 dollarë për fuçi" - thotë Profesor David Deming.

Problemi nuk shtrohet vetëm në rezervat e naftës por edhe në kapacitet për përpunimin e naftës bruto. Eksperti i energjisë, Peter Newman, thotë se rafineritë dhe naftësjellësit momentalisht punojnë me kapacitetin maksimal.

"Edhe parashikimet më modeste të rritjes së kërkesës për energji, tregojnë qartë se nevojiten rafineri të reja për të plotësuar kërkesën

Mendoj se mundësitë më të mëdha janë në vendet më pak të zhvilluara" - thotë Peter Newman.

Burime të mundshme

Për momentin nafta duket e vështirë që të zëvendësohet. Profesori Robert Mabro është themelues i Institutit të Universitetit të Oksfordit për Studimet e Energjisë.

"Ne mund të prodhojmë naftë nga gazi, ne mund të prodhojmë naftë nga qymyri, siç bënë gjermanët gjatë luftës së dytë botërore, apo afrikano-jugorët në periudhën e sanksioneve gjatë regjimit të aparteidit.

Ne mund të prodhojmë karburante në formë lëngu, si etanoli të cilin brazilianët po e përdorin për makina, dhe që mund të sigurohet nga kallami i sheqerit, drithrat apo burime të tjera.

Problemi nuk është gjeologjik. Çështja shtrohet: A do të investojë industria për ta zëvendësuar naftën në kohën e duhur? - thotë profesor Robert Mabro.

SHBA dhe energjia globale

Nuk mund të flasësh për energjinë globale pa përmendur Shtetet e Bashkuara. Amerika ka vetëm 5% të popullsisë së botës por përdor 25% të energjisë globale.

Të ndahesh nga një ves nuk është e lehtë, por të pranosh se e ke atë është hapi i parë. Presidenti Bush kërkon që amerikanët të mos jenë të varur nga nafta e Lindjes së Mesme dhe nga rajone të tjera të paqëndreushme.

Por një deklaratë të ngjashme e patën bërë edhe presidentët Ford, Nikson dhe Karter. Kjo do të ishte relativisht e lehtë sepse vetëm një përqindje e vogël e naftës që përdorin amerikanët vjen nga Lindja e Mesme.

"Duke vënë në zbatim talentin dhe teknologjitë e Amerikës, ky vend mund ta përmirësojë në mënyrë dramatike mjedisin, të shkojë përtej ekonomisë që bazohet në karburante dhe ta bëjë varësinë tonë nga nafta e Lindjes së Mesme që t'i përkasë së kaluarës" tha presidenti Bush në një fjalim muajin e kaluar.

Këtu në Londrën e zhurmshme, shqetësimi për sigurimin e energjisë nuk është i dukshëm, thotë korrespondenti I BBC-së, Steven Evans. Rezervat britanike të qymyrit janë shteruar. Po ashtu rezervat e naftës dhe të gazit në Detit e Veriut pranë brigjeve britanike po mbarojnë.

Dhe varësia nga nafta edhe këtu është e vështirë të hiqet. Teksa njerëzit pasurohen ata duan makina dhe kondicionerë. Në horizont ka edhe një re tjetër të madhe. Djegia e qymyrit, naftës apo gazit dëmton ajrin që ne thithim. Rritja e ekonomisë nuk do të kishte shumë vlerë nëse bazohej në burime energjie që do të na merrnin frymën.