http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 13 shkurt 2006 - 16:26 CET

Mundësitë e energjisë ujore në Prizren

Shumë vende apo rajone po shohin mundësinë e gjetjes së burimeve alternative të sigurimit të energjisë për të balancuar më mirë nevojat e tyre dhe për të hequr varësinë nga një burim i vetëm i energjisë. Madje kjo po kryhet edhe në nivele lokale.

Në kuadrin e bashkëpunimit të BBC-së me disa radio partnere në rajon, Gazetari i Radio Therandës, Refki Reshitaj, përgatiti këtë material për mundësitë e shfrytëzimt të energjisë ujore në rajonin e Prizrenit.

Dëgjoni programin në audio

Jam para objektit të vjetër të hidrocentralit më të vjetër në Kosovë, që ndodhet në luginën e Lumëbardhit, pesë kilometra në lindje të Prizrenit.

Ky hidrocentral është ndërtuar para shumë vitesh dhe atë kohë ka furnizuar me energji elektrike qytetin e Prizrenit, që kishte rreth njëzet mijë banorë.

Sot ky hidrocentral është jashtë përdorimit, ndërsa qytetarët e vjetër prizrenas thonë se ky hidrocentral është lënë pas dore pas ndërtimit të termocentraleve në Obiliq, afër Prishtinës.

"Gjendja me energji elektrike është katastrofë. Tani vetëm që duhet të riparohet e të rregullohet ai mund përsëri të zgjidhë problemin e energjisë elektrike", thotë një qytetar.

"Duhet që pushteti të rregullojë atë hidrocentral që të mund të prodhojë energji elektrike, se prej Obiliqit nuk kemi fort energji", thotë një i anketuar tjetër.

Sot rajoni i Prizrenit përballet me mungesë ekstreme të energjisë elektrike.

Rituali i rëndomtë në rajonin e Prizrenit ështe zhurma e padurueshme e gjeneratorëve të cilët ofrojnë një alternativë me kosto të lartë për mungesën e energjisë elektrike.

Kriza energjetike që po e karakterizon Kosovën sidomos, pas luftës, sikur ka riaktualizuar çështjen e këtij hidrocentrali.

Krahas këtij hidrocentrali, tani e dy vite në Prizren qarkullon ideja për ngritjen edhe të një hidrocentrali në Vërmicë, krejt pranë kufirit Kosovë -Shqipëri.

Drejtoresha e zyrës rajonale të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës për rajonin e Prizrenit, Afërdita Lama, thotë:

"Çdo furnizim tjetër i rajonit të Prizrenit me ndonjë burim tjetër alternativ të energjisë elektrike do të kishte qenë i mirëseardhur. E posaçërisht në rajonin e Prizrenit ku dimë se ka mjaft ujëra. Për këtë flitet që ka egzistuar projekti. Është përgatitur projekti për hidrocentralin e Zhurit ku kolegët e distribucionit të mëparshëm kanë punuar në këtë aspekt. Dhe do ishte i mirëseardhur që ai projekt të dilte në skenë tani"

Projekti për gjetjen e mundësive për prodhimin alternativ të energjisë elektrike nga ai egzistues është preokupim i strukturave të qytetit të Prizrenit.

Megjithatë zyrtarët e pushtetit këtu thonë se nuk ka burime financiare për realizimin e këtyre projekteve.

Ragip Gajraku është kryeshefi i egzekutivit komunal në Prizren.

"Po, ne jemi të informuar për idenë e këtij hidrocentrali mirëpo, për momentin, kuvendi komunal i Prizrenit nuk ka mundësi të realizimit të këtij projekti. Projektin do ta përkrahim në mënyrë logjistike".

Zyrtarët e pushtetit lokal në Prizren megjithatë janë duke studiuar mundësinë e angazhimit të kapitalit privat për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike duke shfrytëzuar mundësitë hidrologjike.

Kjo i mbetet të ardhmes për tu parë, ndërkohë që refreni i përditshëm i gjeneratorëve në rajonin e Prizrenit, ashtu si në tërë Kosovën, vazhdon me ritëm të njejtë.