http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 23 janar 2006 - 11:15 CET

Kosova i bën homazh figurës së Rugovës

Në Prishtinë kanë filluar homazhet për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën pas një sëmundje të rëndë.

Arkivoli me trupin e pajetë të presidentit Rugova është vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës ku po bëhen homazhe.

Që nga ora 9,00 e mëngjesit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës kanë filluar homazhet ndërsa për 15 ditë rresht Kosova do të jetë e veshur në petkun e zisë kombëtare.

Përreth arkivolit janë rreshtuar pjesëtarët të Gardës Ceremoniale të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa në anën e djathtë janë të ulur bashkëshortja dhe tri fëmijët e presidenit Rugova.

Homazhe kanë bërë krerët e institucioneve vendore e ndërkombëtare, shefi I UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, komandanti i KFOR-it, gjenerali Valotto, shefat e zyrave diplomatike në Kosovë, kryeministri Bajram Kosumi me gjithë kabinetin qeveritar, kryeparlamentari Nexhat Daci, deputetë, zyrtarë të partive politike e punonjës të administratës.

Nga ora 12,00 deri në orën 18,00 holli i Kuvendit të Kosovës është i hapur edhe për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të nderojnë jetën dhe veprën e presidentit Rugova.

Homazhet për presidentin Rugova do të mund të bëhen në Kuvendin e Kosovës edhe nesër e pasnesër, ndërsa të enjtën trupi i pajetë i kryetarit të ndjerë do të dërgohet në sallën 1 Tetori për ceremoninë përfundimtare mortore para përcjelljes në banesën e tij të fundit.

Homazhet për presidentin Rugova po bëhen nën masa të rrepta të sigurisë.

Rruga kryesore "Nënë Tereza" është bllokuar që nga mesnata për trafikun, ndërsa në gjithë qytetin janë shtuar patrullat e policisë.

Pritet që në Prishtinën të vërshojë një fluks i madh i qytetarëve nga të gjitha viset shqiptare për të bërë homazhe para arkivolit të presidentit.

Këshilli për përgatitjen e menifestimeve për përcjelljen e presidentit në banesën e tij të fundit, ende nuk i ka harmonizuar të gjitha hollësitë rreth ceremoniesë mortore të presidentit Rugova.