BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 27 janar 2006 - 14:09 CET
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
Komente për presidentin e ndjerë Rugova
 
Ibrahim Rugova
Ibrahim Rugova vdes nga kanceri në mushkëri në moshën 61 vjeçare
Qytetarët e Prishtinës e cilësuan vdekjen e Presidentit Rugova ditën e shtunë si një goditje e rëndë dhe një humbje e madhe.

Por ata shprehën besimin se megjithë humbjen e presidentit pavarësia të cilës ai i përkushtoi jetën nuk do të ishte larg.

Ibrahim Rugova vdiq në orën 11.38 në shtëpinë e tij në Prishtinë i rrethuar nga familjarët, mjeku personal dhe mjekët të tjerë shqiptarë edhe të huaj.

Zoti Rugova 61 vjeç, u zbulua se vuante nga kanceri në mushkëri në shtator të vitit të kaluar, kur u dërgua për kontroll mjeksor në një spital ushtarak në Gjermani.

Ai vazhdoi të ushtronte funksionin e presidentit të Kosovës dhe të kreut të grupit negociator të Kosovës deri në ditën e vdekjes së tij.

Zoti Rugova u zgjodh para katër vjetësh si presidenti i parë i Kosovës.

Vdekja e tij vjen në një kohë kur kanë filluar bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Cilat janë komentet tuaja për figurën e presidentit Rugova, çfarë do të thotë mungesa e tij në skenën politike vendase dhe jashtë Kosovës?

I dërgoni ato duke plotësuar formularin në këtë faqe ose direkt në albanian@bbc.co.uk.

Në BBC në shqip kanë ardhur qindra mesazhe me e-mail lidhur me vdekjen e presidentit Rugova. Ndjekësit e BBC-së ngrenë lart figurën e zotit Rugova si kampion i rezistencës së shqiptarëve dhe flamurtar i lëvizjes për pavarësi.

BBC do të mundohet të botojë sa më shumë komente që të jetë e mundur. Mesazhet e botuara përfaqësojnë një ekujlibër të pikëpamjeve të ndryshme.

Disa nga komentet tuaja:

Dr Rugova ka qenë politikani i parë modern shqiptar dhe forca kryesore shtytëse për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Është një humbje e madhe për të gjithë shqiptarët.
Jetmir Sokoli, Londër

Dr Rugova ishte njeri i shekujve. Ne patëm fatin të jemi në këtë jetë kur Dr. Rugova po kryente misionin e tij të shenjtë.
Bashkim Leci, Mynih, Gjermani

Bashkoi dhe udhëhoqi popullin të vet të shtypur nga çizmja shoviniste serbe, duke promovuar si zgjidhjen më të mirë të problemeve kaq komplekse dhe të veshtira vetëm gjuhën e dialogut dhe ideve të pastra (pa ekuivoke), idetë paqësore që buronin nga shpirti i tij, duke u bërë simbol ndërkombëtar i qëndresës paqësore të popullit të tij.
Seferina Serani, Athinë, Greqi

Duhet të jenë të gjithë shqiptarët të sinqertë dhe gjerat t'i shohin ashtu si janë pa ndikime euforike apo politike. Rugova ka meritë vetëm për pikëpamjet paqësore për pavarësinë e Kosovës dhe autoritetin që gëzoi në botë. Merita më e madhe për ditën e sotme dhe për të ardhmen është gjaku i derdhur i dëshmorëve të luftës, i luftëtarëve, i veteranëve të luftës dhe të gjithë atyre që luftuan për liri. Nuk pajtohem kurrë me qëndrimin e Rugovës që pati ndaj luftës dhe luftëtarëve dhe dëshmorëve të Kosovës.
Nuri Çeliku, Leeds, Angli

Vdiq ikona e pavarësisë, vdiq Gandi i Ballkanit, vdiq Presidenti i Kosovës-Dardanisë antike, njeriu që për 16 vjet rresht i dha shpresë këtij populli edhe atëherë kur ka qenë kohë shumë e vështirë që nuk u duk askund ai optimizëm që e shihte presidenti ynë i ndjerë, por largpamësia e Dr.Rugovës na pruri këtu ku jemi.
Premtim Maloku, Vushtrri

Si ka guxuar Rugova ta kaloi natën në mesin e dëshmorëve për të cilët nuk ka folur kurrë, dhe as një herë të vetme nuk i ka vizituar.
Albana Gashi, Prishtinë

Presidenti Ibrahim Rugova mbetet fytyra më e ndritshme në historinë e kombit tonë. Mburrem që e patëm.
Rabije Kryeziu, Prishtinë

Ishte një dirigjent dhe kompozitor që ka lënë mbresa dhe nota për të ardhmen tonë. Ato nota sot ne do i mësojmë, fëmijët tanë do i mësojnë dhe t'i tregojmë botës demokratike se çfarë të ardhme ka lënë një Burrë shteti, një burrë që të gjithe burrështetasit ia kanë pasë lakmi.
Kushtrim Demiri, Prishtinë

Tani Kosova fillon rrugën e pavarësisë reale të cilën me gjak e sollën luftëtarët trima të UÇK-së, gjë e cila u injorua apo pengua.
Lutfi Muaremi, Gostivar

Njeriu që i dha shpirt dhe shpresë për jetë popullit të Kosovës e sidomos atyre që e kanë dit se me kend kanë punë.
Besim Morina, Rahovec

Për Ibrahim Rugovën kam respekt për politikën e tij për katër vitet e para kur formoi LDK-në. Një gjë më ka befasuar, në të githë botën kur një president vdes mbulohet me Flamur kombëtar ndërsa presidenti ynë mbulohet me flamurin Dardan kur për flamurin kombëtar kanë vdekur me miliona shqiptarë.
Avni Krasniqi, Vernon, SHBA

Ibrahim Rugovën e kam njohur që prej vitit 1967. Ishte njeriu që i ka sjellë dëmet më të mëdha, jo vetëm çështjes së Kosovës, por asaj mbarëkombëtare.
Izet Baraliu, Nju Jork, SHBA

Ndërroj jetë Vizionari i Pavarësisë së Dardanisë historike. Njeriu që i udhëhoqi kosovarët drejt dritës së lirë. Lideri shqiptar që më së miri e njohu dhe ruajti popullin e vet.
Labinot Shala, Halifax, Kanada

Si bir i Kosovës ai ja kushtoi gjithë jetën e tij lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Të gjithëve na kujtohet se sa herë përmendej emri i Rugovës nënkuptohej pavarësia e Kosovës. Shpresoj se amaneti i Rugovës, pavarësia e Kosovës,do të realizohet sa më parë.
Salvador Xhuxha, Filadelfia, SHBA

Presidenti Ibrahim Rugova, profet i kombit shqiptar. Kosova humbi fizikisht birin e saj më të dashur, arkitektin e pavarësisë së Kosovës, kolosin dhe atdhetarin më të devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe popullit të saj.
Sahit Ndrecaj, Gjermani

Humbja e presidentit tonë dr. Ibrahim Rugova është një humbje e madhe për të gjithë ata që e ndiejnë veten shqiptar. Ne krenohemi që patëm një njeri të tillë.
Kaltrina Krasniqi, Prishtinë

Më vjen keq që vdiq një njeri, por se humbi një politikan nuk më dhimset fare se veprimet, përpjekjet, qëllimet e tij vetëm se frenuan proceset politike, çlirimtare dhe kombëtare. ... Që nga ardhja e tij si prirjs i shqiptarve në vitet 1990 ai ndaloj çdo përpjekje të popullit për t'u zgjidh nga zingjjirët robrusë, nga viti 1991 ai bëri thirrje të mos i kundërvihet Serbisë me mjete dhune por me "mjete paqsore", u ndaluan protestat në rrugë dhe gjdo përpjekje ra në gjume. Po cili popull e fitoj lirin pa gjak? ...
Valbona Istogu, Kosovë

Rugova e siguroi vendin e vet në historinë e Kosovës. Biografia e tij është tipike e një heroi. ... Ana e errët e politikës së tij mbetet mosmbështetja publike ose diplomatike e UÇK-së. Por duke e pare më vonë situatën në Kosovë duket që në heshje Rugova e balancoi shumë mirë këtë gabim të tij duke ndarë pushtetin me PDK-në në zgjedhjet e para dhe me AAK-në në zgjedhjet e dyta, si dhe me vdekjen e tij duke lënë amanet të varroset përkrah heronjve të UÇK-së, duke kërkuar paqe të përjetshme me ta.
Maksim Llupo, Toronto, Kanada

Unë mendoj se humbja e zotit Rugova është humbja më e madhe që populli shqiptar ka patur ndonjëherë. Vdiq pa e parë Kosovën të pavarur bash kur ishte koha kur vendimi do të mirrej. Kosova pati fatin që pati një njeri aq të madh.
Eset Islami, Nju Jork SHBA

Jo vetëm Kosova por mbarë populli shqiptar ka humbur prijsin më të mirë të historisë sonë, të cilin shumë vështirë do e kem ta zavendesojmë, por sidoqoftë amanetin për pavarsinë e cila ishte ëndërr e tij qysh nga fillimi i hyrjes në politikë do e realizojmë me gjdo kusht.
Fehmi Hajzeri, Nju Xhersi, SHBA

Injorimin që ja bëri UÇK-së dhe thirrjet e tij për ndërprerjen e bombardimeve të Natos që i bënte forcave serbe tregojnë qartë se sa ka qenë i përkushtuar për qlirimin e Kosovës.
Reshat Salihaj, Gjenevë Zvicër

Vdekja e tij është një humbje e madhe për Kombin Shqiptar. Ai luftoi me të gjitha forcat e tij për të drejtat e popullit shqiptar për vendosjen e paqes pa dallim feje. Ai do të mbetet një figurë e shkëlqyer për të gjithë brezat e ardhshëm.
Theodor dhe Marita Ziu, Carmel, SHBA

Shumë shpejt do ta kuptojmë kush ishte Rugova. Mendoj se do të ketë probleme radikale të mbrendshme në Kosovë. Mungesa e tij do të reflektohet shumë në vazhdimin e luftës për arritjen e synimeve tona shekullore. Luftëtar politik qfar ishte Rugova, s'do të kemi ma për kohë të gjatë.
Zenel Gubetini, Angli

Unë mendoj se humbja e zotit Rugova është humbja më e madhe që populli shqiptar ka patur ndonjëherë. Vdiq pa e parë Kosovën të pavarur bash kur ishte koha kur vendimi do të mirrej. Kosova pati fatin që pati një njeri aq të madh. Patëm fatin ta shohim veprën e tij. Lutem për të. Ngushëllime familjes së tij si dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Dafina Latifi, Londër, Angli

Ndiej dhembje shumë të madhe për Presidentin e nderuar Ibrahim Rugova. Dritë i pastë shpirti!
Ali Veseli, Lucern, Zvicër

I shpreh ngushëllimet e mija familjes Rugova si dhe gjithë popullit të Kosovës. Mburrem për këtë burrë shteti që e kena pasë dhe do të jetë gjithmonë në mesin e të gjithë kombit shqiptar. Zoti e bekoftë presidentin e ndjerë me respekt e kujtojmë gjithmonë.
Fazli Osmani, Frankfurt, Gjermani

Një humbje e madhe për të gjithë shqiptarët. Padyshim ishte një nga njerëzit më të zgjuar dhe më të aftë të politikës shqiptare në Kosovë.
Vladimir Karaj, Tiranë, Shqipëri

Zotëri Rugova ishte një njeri që e bashkoi popullin e Kosovës e ruajti nga lufta ku të gjitha republikat e athershme jugosllave prisnin që në kurriz të Kosovës ta fitojnë luftën nga Serbia... Historia e tij zbehet me mospërkrahjen e luftës çliririmtare (UÇK) që sikur ta bënte atë me siguri që do ta kishte figurën më të shëndtritshme se Skenderbeu.
Naim Gashi, Londër, Britani

Ngushëllime në rend të parë familjes së ngushtë e pastaj të gjithë popullit shqiptar kudo që janë.
Ilmi Vitia, Bullgari

Dr.Rugova ka qënë njeriu më i besueshëm për Kosovën. Ka qënë figura e ndritur për të gjitha moshat, i besueshëm, i ndershëm, i urtë dhe udhëheqës i pazëvendësueshëm i qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë nacionale dhe fetare. Lavdi veprës dhe qëndrimit të tij!.
Ruzhdi Hyseni, Malmo, Suedi

Një shok më mori në telefon dhe më tregoi se presidenti Rugova ndërroi jetë, më besoni se kur më tregoi më erdhi dhimbje aq e madhe sikur të kishte vdekur babai im. Ibrahim Rugova ishte një njeri shumë i mençur dhe njeri shumë paqësor.
Naim Ramadani, Salt Lake City, Utah, SHBA

Ai është legjenda e kombit shqiptar, lideri i parë antikomunist në të gjithë Evropën Juglindore. Vdekja e tij është një humbje e madhe për të gjithë kombin shqiptar, Ballkanin, Evropën dhe tërë liridashësit në botë. Zoti e bekoftë presidentit tonë legjendar Ibrahim Rugova!
Emanuel Bajra, Londër, Angli

Ibrahim Rugova, me zemrën e madhe të Nënë Terezës dhe me fuqinë pashoqe të mendjes si mbishpatë të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, u ka hap' udhën shqiptarëve në krahë të kombeve të përparuara e të civilizuara. Urtësia, mençuria e dhembja njerëzore janë tani pasuri shpirtërore e shqiptarëve, dhuratë historike që përmes Ibrahim Rugovës iu shpalos edhe njëherë me dinjitet botës në këtë fillim shekulli të ri. Rugova do të mbetet pëllumbi i bardhë i shqiptarëve.
Sami Mulaj, Nju Xhersi, SHBA

Me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe popullit shqiptar dhe shpresoj se vendin e tij të pazëvendësueshëm do të kemi një lider të njëjtë që do të luftoj, për të drejtat e popullit dhe për pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Ismet Rafuna, Nju Jork, SHBA

Nuk është shpesh që bota të nxjerrë liderë të tillë, por mbase është akoma më e rrallë që të tillë liderë të dalin nga Ballkani. Ai përdori urtësinë e tij për t'i vënë themelet shtetit të ri të Kosovës. Dhashtë Zoti që ky vit të mos jetë vetëm viti i kësaj humbjeje të madhe, por edhe viti i fitores së madhe për Kosovën e pavarur!
Alfred Kovaçi, Londër, Angli

Me vdekjen e z. Rugova, Kosova ka humbur mësuesin e parë të demokracisë dhe negociatorin më të madh për paqe.
Lazim Kqiku nga Anglia,

Erës së Rugovës, këtij dinosauri të politikës shqiptare-kosovare i kishte ardhur fundi qysh prej kohës kur djemtë dhe vajzat e Kosovës rrëmbyen pushkët për liri... Figurave të reja të politikës shqiptare-kosovare, që provuan se janë të zotët që kur të jetë nevoja, edhe të luajnë gishtin, edhe të ulen në tavolinë për bisedime u ka ardhur koha të marrin në dorë frenat e vendit... Ngushëllimet e mia familjes Rugova!
Arben Camaj, Nju Jork, SHBA

Puna e z. Rugova duhet të jetë udhëzim për të ardhmen e Kosovës. "Mburrem që ju pata president," shkruan ai.
Asdren Koka nga Austria

Me humbjen e presidentit Rugova, kemi humbur prijësin e Kosovës në këto momente të vështira dhe më vendimtare për popullin e Kosovës. Driton Alaj, Belgjikë.

Rugova është një figurë e pazëvendësueshme për shqiptarët. Lutem që amaneti i z. Rugova për pavarësinë të bëhet sa më shpejt realitet.
Berat Zimberi, Japoni

Vdekja e z. Rugova është humbje e madhe për Kosovën, të cilës ai ia kushtoi pjesën më të mirë të jetës.
Shukri Orani, Hamburg.

Ne jemi të bindur se shqiptarët do të kryejnë amanetin e të madhit tonë.
Florim Behluli nga Holanda

Dino Shehaj nga Miçigani në Amerikë, shpreh dhembjen e tij për humbjen e madhe që sipas tij, ka pësuar Kosova me vdekjen e z. Rugova.

Kosova do ta mësojë më mirë se kush ishte Rugova kur të ketë fituar pavarësinë" dhe e krahason figurën e z. Rugova me atë të udhëheqësit indian Gandi.
Beqir Sina, Nju Jork SHBA

Ai bëri të njohur Kosovën dhe të vërtetën për Kosovën në botë, me filozofinë e tij të urtë e të mençur, ai alarmoi perëndimin dhe botën demokratike, për atë që po ndodhte në Kosovë.
Lorik Maxharraj nga Amerika.

Nga SHBA, Fatmir Aliçkaj u bën thirrje shqiptarëve që "në këto momente të bashkohen dhe të realizojmë ëndrrën e z. Rugova për pavarësi".

"Rugova u largua fizikisht në një moment kur e la Kosovën në embrion të pavarësisë,"- shkruan Mustafë Ismaili nga Toronto e Kanadasë që e cilëson z. Rugova "humanist e burrë shteti legjendar".

"Kosova humbi me të vërtetë një njeri të madh në kohën më kritike," shkruan po nga Kanadaja Ismet Breznica.

Ne kemi humbur njeriun më të madh të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë i cili ishte Lideri i parë që e filloi zhdukjen e komunizmit në rajon,- shkruan Din Zeqiraj nga Zvicra.

Rauf Abdiu nga Bullgaria krahas ngëshëllimeve të tij shkruan: "Mburrem për këtë burrshteti që kena pas dhe do të jetë gjithmonë në mesin e kombit shqiptar".

"Presidenti i ndjerë edhe për së vdekuri do të shërbejë si një argument i fortë për pavarësinë e Kosovës,"- shkruan Sinan Hysniu nga Norvegjia.

"Kosova kur do të fitojë pavarësinë, atëherë do të dijë më mirë se kush ishte në të vërtetë dr Ibrahim Rugova,"- thotë Emine Hajra nga Vushtria.

" Doktor Rugova do të mbetet figura më rezatuese në historinë e re të popullit shqiptar. Dhashtë Zoti që pasardhësi i tij të ndjek të njejtën ideologji. Ngushëllime të gjithë shqiptarëve dhe miqëve tanë për humbjen e "Gandit kosovar,"-Gazmend Ndrecaj, student Bullgari.

"Dr Rugova ka qenë njeriu më i besueshëm për Kosovën dhe rilindasi i Kosovës. Rugova do të mbetet pëllumbi i shqiptarëve". Shefit Domi, Mbretëri e Bashkuar.

"Rugova ishte ai që shëronte zemrat e të pa shpresëve në ato ditë të vështira të historisë më të re të Kosovës, atëhere kur kishte keqtrajtime, vrasje dhe spastrim të vatrave stërgjyshore...Zoti president, Ti do të jesh i pavdekshëm në zemrat tona. Amaneti yt duhet të çohet përpara,"- Lulzim Mustafa,Nju Jork.

"Personalisht ndjej dhimbje të madhe për vdekjen e presidentit tonë Ibrahim Rugova. Ngushëllimet e mija të sinqerta për familjen Rugova dhe gjithë popullin e Kosovës,"- Vjollca Hasani, Holandë.

 
 
Emri
Mbiemri*
Qyteti
Vendi
Email
Telefoni*
* Sipas dëshirës
Opinioni i juaj
 
  
BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.
 
LOKALE
Reagime pas vdekjes së presidentit Rugova
21 janar 2006 | Faqja Kryesore
Ibrahim Rugova - një jetë e tërë
21 janar 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>