BBCAlbanian.com
 
09 qershor, 2010 - Published 13:06 GMT
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Ku do të shkëlqejnë më shumë brazilianët?
 

 
 
Stadiumi Marakana
Marakana është stadiumi më i madh në Brazil.
Në Brazil vështirë të gjesh një copë tokë të rrafshët që të mos jetë shndërruar në fushë futbolli.

Në Rio, korrespondenti i BBC-së, Matt Frei, sheh ca djem që luajnë në parkimin poshtë bllokut të apartameneve ku banojnë. Çimentoja e krisur duhet t'ua vështirësojë vrapimin djemve këmbëzbathur që këpucët i përdorin për të sajuar portat. Por nuk duket se duan t'ia dijnë.

Teksa rendin pas topit, ata ndjekin edhe ëndrrën e tyre të shpëtimit nga varfëria. Më të mirët syresh do të vihen në kërkim të parasë deri në Europë.

Futbolli brazilian gjithmonë ka vuajtur nga një lloj hemorragjie e talentit. Për këtë mjafton të pyesësh Edinhon, djalin e Pele-së, legjendës së futbollit.

Edinho tani është këshilltar në Santos, ish-ekipi i të atit dhe një nga më premtuesit në vend.

"Është çështje financash, punë parash. Kur shkojnë në Europë, futbollistët fitojnë më shumë para. Sikur të kishin kontrata aq fitimprurëse në Brazil, jam i sigurtë se të gjithë do të parapëlqenin të qëndronin në Brazil", thotë Edinho.

Tifozëve brazilianë nuk u pëlqen shumë eksportimi i talenteve.

Stadiumin Marakana në Rio, më i madhi i Brazilit, Matt Frei i BBC-së e gjen gjysëm të zbrazur një të djelë maji në mbrëmje. Kjo, thotë ai, pjesërisht sepse i vetmi yll i ndeshjes, Adriano, nuk luan për shkak të një dëmtimi.

Sportdashësit i thonë gazetarit të BBC-së se, pasi e mësojnë zanatin në lagjet e Rios a Sao Paolos, futbollistët më të mirë marrin rrugët e Europës, në kërkim të parave dhe lavdisë, pranë klubeve me emër.

Gjendja e ekonomisë braziliane po përmirësohet. Po a është ajo në gjendje të joshë kthimin e talenteve?

Brazili - kandidat për Botërorin 2014
Brazili shpreson të jetë organizator i Kupës së Botës në vitin 2014.

Në fushë është edhe talenti i ri Neimar, me vath diamanti, flokë të qethur sipas stilit mohikan dhe buzëqeshje ku nuk fshihet vetkënaqësia. E vlerësojnë aq të mirë saqë mund të sigurojë një kontratë në Europë që nesër, por ai ka vendosur të luajë në Brazil.

"Mendoj se më e rëndësishmja është që Brazili të zhvillohet dhe që lojtarët e tij të kthehen. Unë ëndërroj të mbetem këtu. Shpresoj të luaj me ekipin kombëtar në 2014-n", thotë zbulimi i ri brazilian, Neimar.

Ndërsa Edinho, djali i Pele-së, shpjegon prirjen në rritje për të qëndruar në Brazil.

"Futbollistët që luanin në Europë parapëlqeheshin nga trainerët e ekipit kombëtar, por tani, edhe atyre që luajnë në Brazil po u jepen mundësitë të jenë në përfaqësuese. Kjo po shërben si shtysë që futbollistët që luajnë jashtë shtetit të kërkojnë të kthehen", mendon Edinho.

Tifoze braziliane
Brazili shquhet për përkrahjen entuziaste të sportdashësve.

Shumë të rinj brazilianë stërviten me orë të tëra me shpresë që të bëhen yjet e së nesërmes. Veç para se të vendosë t'i bëjë qëndresë largimit të talenteve, futbolli brazilian duhet të reformohet krahas rritjes së ekonomisë së vendit.

Elena Landau, një ish-anëtare e kabinetit qeveritar, është ekonomiste e specializuar në bizneset që lidhen me futbollin.

"Kur mungon kërkesa e përgjegjësisë, mungon edhe profesionalizmi dhe njerëzit bëjnë çfarë t'u teket. Ky është problem i madh në futboll.

Në futboll duhen bërë ndryshime radikale, sikurse ato qe po ndodhin ne ekonominë braziliane. Duhen bërë ndryshime si ata që kaloi futbolli britanik i viteve 90-të.

Ne duhet ta ndajmë mendjen dhe tani është koha për ndryshim", thotë Elena Landau, ekonomiste e specializuar në bizneset që lidhen me futbollin në Brazil.

Në stadiumin Morumbi në Sao Paolo ndërtuesit punojnë intensivisht me shpresë se aty do të zhvillohet ndeshja e hapjes së Kampionatit Botëror të 2014-s. Përpara kanë një mal me punë: duhen ndërtuar tribuna të reja, duhen montuar karrike të tjera, ka nevojë për ndriçim shtesë.

Futbolli brazilian përballet me sfidën e rigjetjes së vetvetes. Është një sfidë e ngjashme me atë që po kalon vetë vendi, vëren Matt Frei i BBC-së.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>